Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme emërimin e Erzen Shkolollit në postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Shkololli zëvendëson në këtë detyrë Artan Shabanin, i cili për 4 vjet drejtoi GKA. Shabani është emëruar në vitin 2013 në krye të galerisë së arteve, si zgjedhje e vetë kryeministrit Edi Rama.
Erzen Shkololli ka lindur në Pejë në vitin 1976 dhe që nga viti 2003 ai ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian të Kulturës.
Si drejtor i Galerisë, Shkololli avokoi suksesshëm për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke shërbyer njëkohësisht si komisioneri i parë i Kosovës në edicionin e 55 të Bienales. Së fundmi, në rolin e këshilltarit të drejtorit artistik të Documenta 14 – ekspozitës më prestigjioze botërore të artit bashkëkohor – Shkololli siguroi pjesëmarrjen e parë historike të artistëve shqiptarë në këtë ngjarje. Gjithsej 17 artistë nga Kosova dhe Shqipëria ekspozuan veprat e tyre në edicionin e fundit të Documenta që u mbajt në Athinë dhe Kassel, duke dëshmuar kështu edhe përkushtimin e Shkolollit për të promovuar dhe përfshirë artistë dhe vlera të çdo gjenerate nga dy shtetet në mozaikun evropian dhe botëror të artit bashkëkohor.
Gjatë karrierës së tij, Shkololli ka mbajtur pozita të ndryshme, përfshirë pozitën e drejtorit të Fondacionit Unë e du Kosovën, fondacion privat që inkurajon zhvillim shoqëror përmes teknologjisë dhe artit, si dhe pozita të larta menaxheriale në festivale të ndryshme që kanë pasuruar jetën artistike në Kosovë dhe kanë promovuar artistë të rinj.
Vendimi:
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA