Eurodeputeti grek: Shqipëria vë në dyshim të drejtat sovrane të Greqisë
Kreu i eurodeputetëve konservatorë grekë në Parlamentin Europian, Manolis Kefalogiannis ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë në Komisionin Europian, duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar.
Sipas tij, në këto deklarata, Edi Rama thekson se Shqipëria vë në dyshim të drejtat sovrane të Greqisë dhe kjo ndikon tek sovraniteti territorial i një shteti anëtar të BE-së, duke minuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin rajonal dhe, për pasojë, edhe perspektivën europiane. Në tekstin që ai ka dorëzuar para Komisionit Europian shkruhet:
“Deklaratat e fundit dhe pozicionimet e kryeministrit të Shqipërisë, përveç referimeve për Shqipërinë e Madhe vënë në dyshim të drejtat sovrane të Greqisë dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike të saj, duke prekur paralelisht edhe çështjet e sovranitetit territorial të një shteti anëtar të BE-së”.
Vihet në dukje se, pavarësisht nënshkrimit nga Shqipëria dhe Greqia të Marrëveshjes për përcaktimin e kufijve detarë të tyre, Parlamenti shqiptar nuk e ka ratifikuar atë. Por, fakti se Shqipëria nuk ka konkluduar në një ratifikim përfundimtar nuk mohon vlefshmërinë e firmës në marrëveshje nga pala shqiptare.
Përkundrejt këtyre fakteve, pyetet Komisioni:
1. A është në dijeni të këtyre deklaratave?
2. A konsideron se deklarata të tilla dhe qëndrimet e përgjithshme të kryeministrit shqiptar kontribuojnë në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal?
3. Si ndikojnë këto deklarata në perspektivën europiane të Shqipërisë?
Ndërsa është bërë i njohur reagimi i konservatorëve të Demokracisë së Re, burime qeveritare bëjnë me dije se, duke parë zhvillimet e fundit në rajon Athina zyrtare planifikon që sapo të mbarojnë negociatat me kreditorët për reformat që kërkohen në këmbim të ndihmës financiare, ministri i Jashtëm Nikos Kotzias ka planifikuar një tur vizitash në kryeqytetet ballkanike, por ende nuk dihet nëse mes tyre përfshihet edhe kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.