“Eurojust”: Kontrolle në Gjermani, Norvegji dhe Rumani për mashtrim me faturat e shërbimeve për anijet e NATO-s
– Policia në Gjermani, Norvegji dhe Rumani zhvilloi sot kontrolle dhe arrestoi disa persona në kuadër të një hetimi për dyshime mbi ryshfete dhe mashtrime me fatura, që lidhen me shërbimet e ofruara për anijet ushtarake të NATO-s, sipas “Reuters”.
Në Gjermani, policia në Hamburg kontrolloi dy kompani dhe një banesë private.
Në Norvegji u arrestuan pesë persona, ndërsa në Rumani u kontrolluan ambientet e një kompanie dhe disa banesa private.
Sipas “Eurojust”-it, agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin gjyqësor, çështja lidhet me fatura të dyshuara si të falsifikuara, të paraqitura nga një kompani dhe nënkontraktorët e saj.
Faturat kishin të bënin me shërbime logjistike dhe organizative për anijet ushtarake dhe ekuipazhet e tyre, gjatë qëndrimit në portet e Evropës Veriperëndimore.
Këto shërbime përfshijnë furnizimin e anijeve me pajisje dhe materiale të nevojshme, si dhe organizimin e nevojave të ekuipazhit gjatë qëndrimit në port.
Sipas “Eurojust”-it, humbjet financiare të shkaktuara ndaj vendeve anëtare të NATO-s vlerësohen aktualisht në më shumë se 1 milion euro.
Pesë personat e arrestuar në Bergen të Norvegjisë dyshohen për mashtrim të rëndë, njoftoi Autoriteti Kombëtar Norvegjez për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimeve Ekonomike dhe Mjedisore (Økokrim).
“Buxhetet e mbrojtjes po rriten në mbarë botën, gjë që shton rrezikun e krimeve ekonomike”, deklaroi Marianne Bender, prokurore e lartë në “Økokrim”.
“Kjo është një fushë që po e monitorojmë nga afër. Nëse NATO është mashtruar, do të ketë një reagim të ashpër”, shtoi ajo. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.