“Eurovision 2027”, 36 vende konfirmojnë pjesëmarrjen, Irlanda dhe Holanda bojkotojnë konkursin
GJENEVË, 28 tetor /ATSH-DPA/– Të paktën 36 vende do të marrin pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, “Eurovision 2027”, i cili do të zhvillohet në Bullgari, njoftoi sot Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), organizatori i konkursit.
Lista paraprake e pjesëmarrësve është publikuar në Gjenevë, por ende nuk dihet nëse Spanja dhe Sllovenia do të marrin pjesë.
Transmetuesit publikë të të dy vendeve, kanë afat deri në dhjetor për të marrë një vendim përfundimtar.
Edhe Islanda ka përfituar më shumë kohë për të vendosur.
Të tria vendet bojkotuan “Eurovision”-in e vitit 2026, të zhvilluar në Vjenë, në shenjë proteste ndaj luftës në Gaza dhe pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs.
Ndërkohë, Irlanda dhe Holanda kanë njoftuar se do ta bojkotojnë sërish “Eurovision”-in në vitin 2027, për të njëjtat arsye.
Të dyja vendet nuk morën pjesë as në edicionin e këtij viti.
“Eurovision”-i i ardhshëm do të sjellë edhe pjesëmarrës të rinj dhe rikthime.
Kanadaja pritet të marrë pjesë për herë të parë në konkurs, ndërsa Maqedonia e Veriut do të rikthehet pas disa vitesh mungesë.
Drejtori i “Eurovision”-it, Martin Green, tha se konkursi i bashkon njerëzit përmes muzikës, pavarësisht dallimeve mes vendeve, gjuhëve dhe kulturave.
Sipas EBU-së, konkursi vazhdon të ketë ndikim edhe në industrinë muzikore.
Këngët e 35 vendeve pjesëmarrëse në edicionin e vitit 2026, arritën afro 600 milionë dëgjime në platformat muzikore dhe videot online gjatë periudhës janar-gusht.
Kënga fituese e vitit 2026, “Bangaranga”, e kënduar nga Dara, kryesoi renditjen muzikore në 11 vende, u rendit në pesëshen e parë në pesë vende të tjera dhe hyri në dhjetëshen e parë në pesë të tjera.
Edicioni i 71-të i “Eurovision”-it do të zhvillohet në maj 2027 në qytetin e Burgasit, në bregdetin bullgar të Detit të Zi. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.