Ekonomia

“Evropa është këtu 2.0”: Delegacioni i BE-së nis fushatën e re mbi mbështetjen financiare për Shqipërinë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi sot një fushatë të re komunikimi mbi mënyrën se si Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë për t’u bërë një Shtet Anëtar dhe shqiptarët për t’u bërë qytetarë të ardhshëm të BE-së.

Duke u mbështetur në fushatën e vitit të kaluar “Evropa është këtu”, kjo fazë e re do t’i informojë qytetarët mbi ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, veçanërisht në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, novacioni, bujqësia dhe kultura.

Kushtuar kontributit të BE-së në sektorin e arsimit në Shqipëri dhe në prani të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Ministres së Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi, Shteteve Anëtare të BE-së, profesorëve dhe studentëve të universitetit, aktiviteti për fillimin e fushatës “Evropa është këtu 2.0” u zhvillua në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Në fjalën e tij, Ambasadori Soreca tha: “Investimi te të rinjtë është çelësi për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj drejt BE-sëKëtë vit zgjodhëm ta nisim fushatën tonë ndërgjegjësuese “Evropa është këtu” me arsimin, për shkak të rëndësisë që BE-ja i kushton këtij sektori kyçsi dhe financimit të konsiderueshëm që i jep Shqipërisë nëpërmjet programeve për arsimin dhe rininë“Evropa është këtu” sepse duam të vazhdojmë bisedat tona me ju mbi atë se si BE-ja po e ndihmon Shqipërinë për t’iu afruar Bashkimit Evropianduke përmirësuar jetën e shqiptarëve çdo ditë, ndërsa u ofron mundësi të mëdha të rinjve shqiptare që të angazhohen, të lidhen, të fuqizohen”.

Në fjalën e saj Ministrja Kushi theksoi se: “Objektivi ynë aktual në të cilin na janë bashkuar të gjitha universitetet është bashkëpunimi ynë i ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane dhe botërore. Më vjen mirë të them se në një kohë shumë të shkurtër, universitetet kanë arritur të lidhin marrëveshje bashkëpunimi dhe të hapin programe studimi të përbashkëta, me qëllim që të garantojmë cilësi në arsimin e lartë dhe që diplomat e studentëve tanë të kenë të njëjtën vlerë si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera të BE-së. Duhet ta theksoj se Bashkimi Evropian është partneri ynë më i rëndësishëm në kuadër të arsimit të lartë, por edhe në gjithë sistemin tonë arsimor”.

Përveç Erasmus+, Bashkimi Evropian ka investuar 100 milionë euro në arsim në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit, kryesisht në arsimin dhe trajnimin profesional, arsimin gjithëpërfshirës, si dhe rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore.

Për informacion të detajuar në lidhje me mbështetjen e BE-së për sektorin e arsimit vizitoni www.euprojects.al. Platforma mbledh informacion mbi projektet e kaluara dhe ato në vazhdim të financuara nga BE-ja. Për secilin projekt, faqja ofron informacion në lidhje me partnerët zbatues, përfituesit, objektivat, veprimet dhe rezultatet e pritshme, në një mënyrë plotësisht transparente. Baza e të dhënave ka një ndërfaqe miqësore për përdoruesit dhe funksioni i kërkimit lejon kërkimin e projekteve sipas sektorit apo çdo fjale kyçe.

 Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për arsimin në Shqipëri:

 Ø  Më shumë se 100 milionë euro kontribute nga BE-ja për sektorin e arsimit në 10 vitet e fundit.

Ø  8.000 shqiptarë janë ndër përfituesit e programit Erasmus+ nëpërmjet skemës individuale të lëvizshmërisë, e cila përbëhet nga bursa dhe shkëmbime me universitete partnere në Shtetet Anëtare të BE-së, duke rritur kapacitetet e studentëve dhe profesorëve shqiptarë, si dhe të punonjësve të universiteteve.

Ø  BE-ja mbështet Shqipërinë për të zhvilluar sistemin e saj të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) me mbi 30 milionë euro për rehabilitimin e qendrave të AFP-së dhe përmirësimin e kompetencave të mësuesve të AFP-së, duke e shtrirë AFP-në në zonat rurale dhe grupet e margjinalizuara, si dhe duke përputhur ofertën e AFP-së me mundësitë e punësimit.

Ø  Programi “BE për Shkollat”, me një grant të BE-së prej 75 milionë euro, po rindërton apo riparon 63 institucione arsimore në dobi të 40.000 nxënësve, fëmijëve dhe mësuesve. Programi “BE për Shkollat” është investimi më i madh i BE-së në edukimin e fëmijëve në Shqipëri, duke hedhur themelet për të mësuarit e mëtejshëm në dobi të brezave të rinj të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button