Faber: SHBA kontibut të paçmuar në mbështetje të proceseve demokratizuese të Shqipërisë
Me rastin e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA, ambasadorja e Shqipërisë në Uashington DC, Floreta Faber, organizoi një pritje ku ishin të ftuar ambasadorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Uashington, si dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve qeveritare amerikane, njofton ambasada shqiptare në SHBA me anë të një postimi në “Facebook”.
Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të ambasadores Faber, e cila theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të miqësisë dhe partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA, duke nënvizuar kontributin e paçmueshëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të proceseve demokratizuese të Shqipërisë dhe në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.
Aktiviteti u përshëndet nga drejtori i Zyrës për Çështjeve të Evropës Lindore dhe Qendrore në DASH, Tom Yazdgerdi, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, të cilët vlerësuan gjithashtu stadin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh mes vendeve tona.