Rajoni

Falimenti i Greqisë, ish-ministri argjentinas: Pasojat, edhe më të rënda nga ç’parashikohen

Nisur nga eksperienca e vendit të tij, Domingo Cavallo, ministër i Ekonomisë në 2001-shin, kur Argjentina shpalli falimentin, paralajmëron se dalja e Greqisë nga Eurozona mund të ketë pasoja shumë më të rënda, nga sa është menduar deri më sot.

Gjatë rrëshkitjes së ngadaltë, por të pandalshme drejt kolapsit financiar, Cavallo ishte në zemër të qeverisë së Buenos Ajresit. Situata e Athinës është një “déjà vu” për të, ndaj dhe i parasheh rreziqet e mëdha, me të cilat përballen grekët.

“Falimenti, jo vetëm për borxhet e jashtme, por edhe ato të brendshme dhe të gjitha kontratat e huaja në fillimin e 2002-shit, ishte një tragjedi e vërtetë për Argjentinën. Periudha që pasoi ishte shkatërruese për një pjesë të mirë të popullsisë. Papunësia thuajse u dyfishua në mbi 20%, ndërsa inflacioni, që ishte frenuar në vitet 1990, u rikthye egërsisht në ekonomi”, tha Domingo Cavallo, ish-ministër i Ekonomisë, Argjentinë.

Në vitin pas falimentit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Argjentinës ra me 11%. Dobësimi i ekonomisë pati pasoja konkrete. Numri i atyre që jetonin në varfëri kapërceu 50 përqindëshin.

Në përpjekje për të ekuilibruar regjistrat, Qeveria urdhëroi që depozitat bankare të konvertoheshin në pesos. Por, ajo çfarë ekzekutivi bëri në realitet, sipas ekspertëve, ishte konfiskimi i kursimeve të njerëzve.

Shumë argjentinas u gjendën në situatën, që të mos shlyenin dot pagesa, si kredia e shtëpisë, për shkak se ato ishin në dollarë. Humbje të mëdha pësuan edhe “lojtarët” e fuqishëm financiarë.

Kompanitë, klientët e të cilave i paguanin detyrimet e tyre në dollarë, mbetën me xhepat zbrazur. Disa prej tyre ndërmorën veprime ligjore, të cilat ende edhe sot nuk e kanë gjetur një zgjidhje.

Trazirat e tregjeve zbritën nëpër rrugë. Humbja e kursimeve dhe frika për të ardhmen çoi drejt protestave të dhunshme, ku humbën shumë jetë njerëzish. Paqëndrueshmëria politike, që pushtoi vendin, detyroi një sërë politikanësh të lartë të jepnin dorëheqjen.

Argjentina arriti ta merrte veten më vonë, vetëm në sajë të atij, që mund të konsiderohet një fat i mirë: të nxitura nga kërkesat kineze në rritje, çmimet e prodhimeve bujqësore në mbarë botën u shtuan asokohe, çka bëri që në periudhën e viteve 2002-2006, eksportet e Argjentinës të dyfishoheshin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button