Falsifikuan mbi 2 mijë vota në Gjakovë, dënohen me nga 3 mijë euro gjobë
Gjykata Themelore në Gjakovë shpalli fajtorë dy numërues votash për manipulimin e 2.023 votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025; dënimi me burgim iu zëvendësua me gjobë pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar dy persona për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, siç njofton KosovaPress. Departamenti i Krimeve të Rënda i shpalli fajtorë të pandehurit A.M. dhe D.K., duke i dënuar me nga 3 mijë euro gjobë për keqpërdorimin e gjithsej 2.023 votave të kandidatëve për deputetë.
Aktgjykimi u shpall pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe të pandehurve, të miratuar nga gjyqtari Samedin Cena. Dënimi prej 6 muajsh burgim u zëvendësua me gjobë, e cila duhet paguar brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, A.M., nga 29 dhjetori 2025 deri më 1 janar 2026, në Qendrën Komunale të Numërimit në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, si kryesues i komisionit të numërimit, manipuloi rezultatet në 9 komisione: u shtoi kandidatëve 428 vota dhe u hoqi 682, gjithsej 1.110 vota të keqpërdorura.
D.K., në të njëjtën kohë e vend, manipuloi rezultatet në 6 komisione, duke shtuar 422 vota dhe hequr 491, gjithsej 913 vota.
Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.