Familja Bluhm dhuron 5 milionë dollarë për artistet gra: MCA Chicago merr donacionin më të madh për barazinë gjinore
"Women Artists Initiative" do të quhet "Madeleine Fund for Women Artists", në nder të drejtoreshës në largim Madeleine Grynsztejn.
Muzeu i Artit Bashkëkohor i Çikagos (MCA Chicago) ka marrë një donacion prej 5 milionë dollarësh nga Leslie Bluhm, anëtare e bordit dhe zëvendëskryetare e tij, siç njofton ARTnews. Shuma do të shërbejë për të përjetësuar “Women Artists Initiative” (WAI), nismën që muzeu e nisi në vitin 2015 me synimin për të arritur barazinë gjinore në programin e ekspozitave dhe në koleksionin e përhershëm.
Me donacionin, fondi do të riemërtohet “Madeleine Fund for Women Artists”, në nder të Madeleine Grynsztejn, drejtoreshës shumëvjeçare të muzeut që po largohet nga posti. Në një intervistë për ARTnews, Bluhm tha se familja e saj është prekur personalisht nga lidershipi dhe vizioni i Grynsztejn-it, dhe se dhurata ishte mënyra më e bukur për të nderuar punën e saj vizionare, që e ka çuar muzeun në nivele dhe lartësi që askush nuk i kishte ëndërruar.
“Women Artists Initiative” ka mbushur tashmë dhjetë vjet përpjekje për paritet gjinor në ekspozita dhe blerje. Kryetari i bordit, Bill Silverstein, tha se kalimi i nismës në një fond të përjetshëm tregon angazhimin institucional afatgjatë dhe siguron vijimësinë e punës.
Lajmi vjen në një moment forcimi të misionit të MCA Chicago-së: muzeu, i vendosur në 220 East Chicago Avenue në ndërtesën e projektuar nga arkitekti gjerman Josef Paul Kleihues, njihet si një nga institucionet më aktive të artit bashkëkohor në Shtetet e Bashkuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.