Farage propozon pezullimin e azilit në Britani deri në pesë vjet, nëse në zgjedhje fiton partia e tij
Kreu i partisë Reform UK, Nigel Farage, deklaroi të hënën se do të pezullojë sistemin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar për deri në pesë vjet, nëse partia e tij fiton zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Plani parashikon gjithashtu anulimin e kërkesave për azil që janë ende në shqyrtim, si pjesë e masave për forcimin e kontrollit të imigracionit.
Gjatë një konference për shtyp, Farage argumentoi se sistemi aktual paraqet rreziqe për sigurinë kombëtare dhe se qeveria e tij do t’i jepte përparësi mbrojtjes së kufijve dhe qytetarëve britanikë.
Propozimet përfshijnë gjithashtu deportimin e shtetasve të huaj të dënuar për krime dhe të personave që qëndrojnë ilegalisht në vend.
Farage bëri të ditur se partia e tij synon të vendosë edhe kufizime për vizat dhe fluturimet, si dhe masa të tjera ndaj vendeve që refuzojnë të pranojnë kthimin e shtetasve të tyre. Si shembull, ai përmendi Pakistanin.
Kreu i Reform UK e paraqiti planin si një përpjekje për të forcuar sigurinë kombëtare dhe për të ndaluar hyrjet e paligjshme në vend. Propozimet pritet të nxisin debat mbi politikën e imigracionit dhe të drejtën e azilit në Mbretërinë e Bashkuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.