Shiroka-Pula dekoron senatoren Shaheen, kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të hënën në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së, duke e cilësuar atë si aleate strategjike dhe partnere të pazëvendësueshme të Kosovës.
Në këtë kontekst, presidentja ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të Dialogut Strategjik me SHBA-në, si instrument për thellimin e partneritetit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Ajo ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një nga synimet kryesore të vendit.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Presidentja ka falënderuar në veçanti senatoren Jeanne Shaheen për angazhimin dhe kontributin e saj të vazhdueshëm ndaj Kosovës.
Ajo ka vlerësuar qëndrimin e Shaheen në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, duke e cilësuar si të rëndësishme letrën që senatorja i ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me këtë çështje.
Sipas presidentes, prania ushtarake amerikane ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon.
Shiroka-Pula ka rikujtuar gjithashtu reagimin e senatores Shaheen pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe thirrjen e saj për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj, presidentja i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon.
Sipas njoftimit, kjo është dekorata e parë që Shiroka-Pula ka ndarë që nga marrja e mandatit të presidentes./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.