Festa Kombëtare e Kuvajtit: Marrëdhëniet midis Kuvajtit dhe Shqipërisë, janë në fazën më të mirë të tyre
Ambasada e Kuvajtit në Shqipëri, organizoi dje në Tiranë një pritje zyrtare, me rastin e 57 vjetorit të Pavarësisë dhe 27 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Shtetit të Kuvajtit.
Ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al-Jassim në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, u shpreh se, Festat kombëtare janë një mundësi për t’u ndjerë më krenarë për historinë e shtetit tonë modern, i cili filloi me pavarësinë e tij dhe krijimin e themeleve të rilindjes dhe zhvillimit.
“Festat na kujtojnë sakrificat e brezave të etërve tanë dhe paraardhësve tanë, për mirëqenie, prosperitet, siguri dhe stabilitet, që ne i gëzojnë sot, nën udhëheqjen e Lartësisë së Tij Shejkh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah dhe Princit të Kurorës. Ndërsa festa jonë sot, përkon me 12 vjetorin e udhëheqjes së vendit nga Lartësia e Tij”, tha ambasadori i Kuvajtit, Fayez Mishari Al-Jassim.
Viti 2017, vijoi ambasadori kuvajtian, ishte një vit suksesi për diplomacinë e Kuvajtit nën udhëheqjen e Lartësisë së Tij Emirit, duke filluar me ndërmjetësimin për kapërcimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet vëllezërve të vendeve të Gjirit, iniciativë e cila mori mbështetje ndërkombëtare. Kjo u reflektua me zhvillimin e Samitit të 38-të të Vendeve të Gjirit.
Ndërsa theksoi gjatë fjalës së tij se, një arritje tjetër e rëndësishme për Kuvajtin është marrja e anëtarësisë së përkohshme në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2018-2019. Kryesimi i Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shkurt është prova më e mirë e pozitës ndërkombëtare dhe qëndrimeve të shquara të Shtetit të Kuvajtit
“Po kështu, gjatë javës së kaluar janë organizuar dy takime të rëndësishme ndërkombëtare në Kuvajt. I pari, ishte Konferenca Ndërkombëtare e Kuvajtit për Rindërtimin e Irakut dhe i dyti, Takimi Ministerial i Aleancës Ndërkombëtare kundër ISIS”, u shpreh ambasadori Fayez Mishari Al-Jassim.
Ambasadori i Kuvajtit theksoi se, “Marrëdhëniet dypalëshe midis Shtetit të Kuvajtit dhe vendit mik, Republikës së Shqipërisë, janë sot në fazën më të mirë të tyre. Kohët e fundit, ato janë forcuar edhe më tej me një sërë arritjesh që pasqyrojnë aspiratat e dy vendeve dhe popujve tanë miq, si vizitat reciproke të delegacioneve të nivelit të lartë, kontributet vullnetare dhe ndihmat emergjente nga organizatat bamirëse të Kuvajtit për të dëmtuarit e përmbytjeve të fundit që prekën Shqipërinë. Ky është një shembull i përkujdesjes së Shtetit të Kuvajtit për të forcuar marrëdhëniet e saj të shquara me Republikën e Shqipërisë, si dhe qëndrimin pranë popullit të tij mik”.
“Suksesi i Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet e fundit parlamentare tregon qëndrueshmërinë e sistemit politik shqiptar dhe dëshirën e popullit shqiptar për të vazhduar marshimin e demokracisë, të cilën Shqipëria po gëzon aktualisht. Me këtë rast dëshiroj t’i uroj Republikës së Shqipërisë dhe popullit të saj mik, zhvillim dhe prosperitet të mëtejshëm”, theksoi ambasadori.
Ndërsa në mbyllje të fjalës së tij, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e sinqertë për vendin mikpritës dhe për vëmendjen e treguar nga nivelet më të larta shtetërore.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë Presidenti i Republikës Ilir Meta, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, miq dhe të ftuar të tjerë.
Ceremonia vijoi me prerjen e tortës të përgatitur me këtë rast, nga Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al-Jassim.