Fetoshi: Vuçiq po rikthen narrativën e Millosheviqit përmes projektit “Bota Serbe”
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po rikthen narrativën e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, përmes projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”, duke e cilësuar këtë si një strategji hibride kundër Kosovës dhe Perëndimit.
Fetoshi tha se pas deklaratave të zyrtarit serb Paunoviq dhe vendosjes së monumentit për Brigadën e 37-të të Motorizuar në Rashkë, Vuçiq, së bashku me Millorad Dodikun, Milan Knezheviqin dhe patriarkun Porfirije, konfirmuan vazhdimësinë e politikave të Millosheviqit.
“Pas sinjalizimit nga Paunoviq dhe “heroizimit” të kriminelëve me monumentin për Brigadën 37 të Motorizuar në Rashkë, Vuçiq, Dodik, Knezheviq dhe Porfirije, konfirmuan në Mërkonjiq Grad vazhdimësinë e maskuar të Millosheviqit. Në ceremoninë e përkujtimit të operacionit kroat “Stuhia” (1995), krerët e projektit të “Botës Serbe” afishuan strategjinë e tyre hibride: viktimizimin serb, Serbinë si mbrojtëse dhe SHBA-të, BE-në e Perëndimin si përgjegjës për vuajtjet serbe”, ka shkruar ai.
Sipas Fetoshit, fjalimi i Vuçiqit gjatë ceremonisë ishte i mbushur me retorikë emocionale dhe kishte për qëllim mohimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës, si dhe legjitimimin e projektit “Bota Serbe”.
“Në një fjalim me ngarkesë emocionale, Vuçiq ia kaloi edhe Millosheviqit, duke kërcënuar se “Serbia s’do të lejojë kurrë më dhe askund të përsëritet ‘Stuhia’, dhe se është mjaftueshëm e fuqishme për ta mbrojtur popullin e vet”. Me pretendimin se serbët nuk i shkaktuan luftërat e viteve ’90 dhe me histerinë e ish-shefit të tij për “mbrojtjen” e serbëve kudo që ata jetojnë, Vuçiq nuk synon vetëm mohimin e përgjegjësisë shtetërore për krimet, spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, por edhe legjitimimin e qëllimeve të “Botës Serbe””, ka shkruar ai.
Ai shtoi se të njëjtën linjë e ndoqën edhe lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, politikani malazez Milan Knezheviq dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
“Të njëjtën narrativë e përforcoi Millorad Dodik, duke akuzuar Kroacinë për “gjenocid” dhe duke pretenduar se “Stuhinë” e kanë organizuar “ekspertët amerikanë”. Ndërkaq, Knezheviq si përfaqësues i kësaj strategjie në Mal të Zi, vazhdoi me retorikën kundër BE-së, duke e cilësuar orientimin perëndimor të Podgoricës si “thikë” ndaj popullit serb. Kurse në fund, Patriarku Porfirije e ‘vulosi’ rrëfimin për serbët si “një popull i vetëm”, duke i dhënë “Botës Serbe” legjitimitet kishtar”, ka shkruar ai.
Fetoshi vlerësoi se këta katër aktorë përfaqësojnë shtyllat kryesore të komunikimit strategjik të projektit “Bota Serbe”.
“Pra, Vuçiqi i Serbisë, Dodiku i Republikës Serbe, Knezheviqi si instrument në Mal të Zi dhe Porfirije me Kishën Serbe, manifestojnë katër vektorët e komunikimit strategjik për “Botën Serbe”. Revizionimi i historisë është thelbësor për hapërimin drejt këtij projekti. Serbia duhet të imponohet si viktimë, ndërsa serbët si popull i përndjekur e i tradhtuar nga Perëndimi”, ka shkruar ai.
Në fund, ai paralajmëroi se mohimi i krimeve dhe falsifikimi i historisë rrezikojnë të prodhojnë të njëjtat pasoja si në të kaluarën.
“Pavarësisht fakteve dhe vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, me strategjinë e mohimit projektohet “ndërrimi i roleve”, kurse “viktimizimi” do t’i shërbente legjitimimit të projektit si mekanizëm mbrojtës. Të njëjtën skemë dhune e shkatërrimi bota e ka parë me Millosheviqin, sepse mohimi, falsifikimi i historisë dhe retorika shoviniste nuk mund të sjellin rezultat tjetër”, ka shkruar ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.