Fibank: Sistemi bankar shqiptar ka reaguar si duhet
Bozhidar Todorov, Drejtor i Përgjithshëm i First Investment Bank (Fibank) Albania thotë se në vitin 2020, konsolidoi pozicionin si banka me rritjen më të shpejtë në pesë vitet e fundit. Portofoli i kredisë u zgjerua më tej me 20% gjatë këtij viti.
Sipas tij, banka mbështeti klientët në vështirësi të përkohshme dhe realizoi investime të konsiderueshme në teknologji dhe në dixhitalizim. Z. Todorov thotë se Fibank vlerëson që ekzistojnë mundësi të mëdha për rritjen e biznesit edhe në vitin 2021.
Si do ta vlerësonit performancën e bankës suaj në vitin 2020? Cilat do të konsideronit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?
Fibank Albania arriti të ruajë qëndrueshmëri dhe rezultate të mira financiare, pavarësisht se sa i vështirë ishte viti 2020. Treguesit e performancës së bankës sonë vazhduan të ndjekin trendin rritës të viteve të fundit në fitim, kapitalizim dhe likuiditet. Ne vazhduam huadhënien dhe mund të them se e intensifikuam mbështetjen tonë për klientët, në mënyrë që të mos i linim ata në vështirësi, duke marrë parasysh specifikat e situatës.
Prova e vërtetë për qasjen tonë është rritja e portofolit të kredisë me rreth 20%, ndër më të lartat në sistemin bankar. Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia, Fibank shënoi rritje edhe në treguesit e tjerë kryesorë, me një normë rritjeje mbi mesataren e sistemit bankar në aktive dhe depozita, duke konsoliduar pozicionin si banka me rritjen më të shpejtë në Shqipëri në pesë vitet e fundit. Fibank Albania investoi në mënyrë të konsiderueshme në përshtatjen me ndryshimet dhe teknologjitë e reja.
Në këtë drejtim, gjatë vitit ne kemi përmirësuar platformën e-banking dhe kemi ofruar një platformë Mobile Banking me përdorim të lehtë, e cila u mundëson klientëve që të kryejnë shumicën e operacioneve në internet. Për më tepër, ne investuam në ATM të reja të teknologjisë së lartë, të cilat u ofrojnë kartëmbajtësve mundësinë e pagesave 24/7 nëpërmjet funksionalitetit të depozitimit të cash-it. Vlen të përmenden edhe investimet tona të mëtejshme në rritjen e sigurisë, si prezantimi i funksionit të sigurisë 3D për të gjitha kartat dhe përmirësimet e sistemeve në zgjidhje dixhitale. Pavarësisht nga shumë sfida dhe vështirësi, rezultatet financiare të Fibank ishin dukshëm pozitive dhe perspektiva e dixhitalizimit hapi rrugën e saj për shumë projekte të reja interesante.
Sipas mendimit tuaj, cilat ishin ndryshimet më domethënëse nga situata pandemike, në mënyrën e funksionimit ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?
Sistemi bankar shqiptar ka reaguar si duhet dhe në përgjithësi nuk ka pasur efekte të dukshme negative. Sistemi bankar në Shqipëri është i shëndetshëm dhe duket se ka thithur ndikimet pandemike për shkak të kapitalizimit të mirë dhe me një situatë të mirë likuiditeti, të cilat ishin shumë të rëndësishme për të përballuar situatën. Masa të menjëhershme u morën nga të gjitha bankat, sipas udhëzimeve nga institucionet qeveritare, si dhe nga Banka e Shqipërisë dhe pati një përgjigje të shpejtë me vullnetin për ta menaxhuar në mënyrë sa më të efektshme. Veprimet e ndërmarra ishin të duhurat dhe bankat patën mundësinë të ndihmonin klientët të cilët u prekën për të kaluar situatën e vështirë pa pasoja në lidhje me detyrimet e tyre ndaj bankave.
Trendi kryesor i ndjekur nga bankat për t’u përshtatur me kërkesën e tregut ishte dixhitalizimi dhe përdorimi i teknologjisë, me qëllim shmangien e vizitës së klientëve në degë dhe kryerjen e sa më shumë shërbimeve bankare online.
Bankat duhet t’u përgjigjen sfidave të sjella nga tendencat kryesore, siç është dixhitalizimi që po përparon në sektorin financiar, pasi pjesët e tjera të shoqërisë po dixhitalizohen dhe konsumatorët gjithnjë e më shumë po zhvendosen në përdorimin e shërbimeve të lëvizshme. Shumë banka do të kërkojnë të adoptojnë sistemet e tyre të Teknologjisë Informatike, në funksion të dixhitalizimit, në mënyrë që proceset të përmirësohen sa më shumë që të jetë e mundur.
Cilët sektorë ose segmente që keni financuar janë prekur më shumë nga kriza ekonomike? A prisni një përkeqësim të cilësisë së portofolit tuaj të kredisë dhe, nëse po, kur parashikoni të ndodhë kjo?
Të gjithë lojtarët, duke nisur nga Qeveria e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë bashkëpunuan dhe morën masa që në fillim të situatës së pandemisë, në mënyrë që të ishin të përgatitur për të kaluar sa më mirë këtë situatë të jashtëzakonshme.
Bankat luajtën rol shumë pozitiv dhe vendimtar, duke mbajtur shërbimin e tyre sa më normal që të ishte e mundur, jo vetëm nga pikëpamja operacionale, por edhe huadhënia vazhdoi me vlerësimin e duhur të rrezikut. Situata ndikoi negativisht dhe shumë më tepër në disa industri, për shkak të masave drastike të marra nga qeveritë në drejtim të bllokimit të plotë dhe të pjesshëm, si industria e turizmit – hotele, agjenci turistike dhe industria e shërbimeve si bare, restorante, etj.
Politikat e zbatuara për mbështetjen e bizneseve me shtyrjen e ripagimit të kredisë për tre muaj dhe tre muaj shtesë (gjithsej 6 muaj) ishin një ndihmë e rëndësishme për këto biznese. Ne ishim në kontakt të vazhdueshëm me klientët tanë ekzistues, në mënyrë që të sigurojmë sa më mirë zgjidhje bankare sipas nevojave të tyre specifike. Ekipi i Fibank do të vazhdojë të jetë një këshillues i mirë financiar dhe do të ofrojë zgjidhjet më të mira të mundshme për të gjithë klientët, siç kemi bërë vazhdimisht në kohë.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për zhvillimin e biznesit në vitin 2021?
Për vitin 2021 kemi një plan shumë ambicioz, sepse shohim se ka mundësi për rritjen e biznesit të klientëve tanë. Fibank do të vazhdojë të luajë rolin e saj kryesor si ndërmjetës financiar dhe të jetë një mbështetës i madh për klientët dhe ekonominë e vendit në përgjithësi.
Do të vazhdojmë të përgatisim oferta speciale për klientët individë dhe të biznesit, për të gjitha produktet dhe shërbimet bankare si huatë, depozitat, obligacionet qeveritare dhe kartat që synojnë të rrisin pjesën tonë të tregut, duke u pozicionuar në treg si një bankë me rritje të shpejtë.
Ne jemi duke investuar shumë në teknologji për zhvillime të reja në këtë fushë, si dixhitalizimi i mëtejshëm dhe produktet online. Kjo nuk është më e ardhmja, por e tashmja, duke marrë parasysh nevojat reale në këtë situatë. Nëpërmjet platformave bankare dixhitale lehtësohen operacionet bankare të klientëve dhe të gjitha bankat po investojnë dhe po shkojnë drejt këtij orientimi. Duke marrë parasysh investimet e bëra dhe ato afatshkurtra të planifikuara në Fibank do të ofrojmë zgjidhje të shkëlqyera bankare dixhitale për të gjithë klientët.