Kosova

Qeveria: Raporti financiar për vitin 2015 dëshmon stabilitet

Raporti financiar për vitin 2015 dëshmon stabilitet dhe performancë të shkëlqyer të buxhetit, vlerësoi sot kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në mbledhje qeveria e Kosovës miratoi Raportin Vjetor Financiar për vitin 2015.

“Ky është një raport shumë i mirë që flet për stabilitet buxhetor dhe për performancë të shkëlqyer të buxhetit edhe në pjesën e të hyrave, edhe në pjesën e të dalurave, për kursime dhe po ashtu për një deficit i cili është menaxhuar në mënyrë shumë të suksesshme”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke u bazuar në ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë ka paraqitur para qeverise Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e  Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2015.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 82-të, në të cilën miratoi projektligje, udhëzime administrative dhe dokumente të tjera të përgjegjësive të saj ligjore dhe kushtetuese.

Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, i cili është miratuar nga kabineti qeveritar, ka për qëllim të themelojë Akademinë e Drejtësisë dhe ta rregullojë statusin e saj. Me projektligj rregullohen edhe funksionet, organet dhe mënyra e kushtet sipas të cilave do të kryhet trajnimi i vazhdueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës, por edhe i personelit administrativ gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës.

Edhe Udhëzimi Administrativ mbi Kushtet për Zgjedhjen e Lokacionit dhe Ndërtimin e Deponisë së Mbeturinave është miratuar në mbledhjen e sotme.

Në vazhdim të mbledhjes, qeveria miratoi Udhëzimin Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për mallrat e liruara nga tatimi doganor. Listës së mallrave të liruara nga tatimi doganor i shtohen edhe ari i pastër, pjesë të pajisjeve të aparateve për dializë dhe turbinat e rrotat e ujit.

Qeveria e Kosovës miratoi Planin e Veprimit 2015-2016, për eliminimin e të gjitha formave të këqija të punës së fëmijëve në Kosovë. Në mbledhjen e sotme u mor edhe vendimi për miratim në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunim kulturor.

Në parim është miratuar edhe nisma për lidhje të Marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit të OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve. Me vendimin e aprovuar në mbledhjen e sotme, qeveria themeloi Grupin Punues për zbatimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026. Edhe Trupi Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut është themeluar me vendimin e aprovuar nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe përbëhet nga përfaqësues të ministrive.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar miratoi Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2015. Raporti është vlerësim i Komisionit të Granteve dhe e mat zbatimin e kritereve bazë të përcaktuara me Ligjin për Financat e Pushtetit lokal, ndarjen e granteve qeveritare dhe vlerësimin e të hyrave vetanake komunale në buxhetin e përgjithshëm.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit për Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit dhe të ish të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë dhe ka ndarë mjete financiare për këtë Komision.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button