Me mbjelljen e pemës mbi 300 vjet të vjetër si simbol i paqes dhe miqësisë, sot në ZZHTI Bunarxhik u shënua fillimi i ndërtimit të kompanisë farmaceutike shqiptare “Sagen”, investimi i parë nga Republika e Shqipërisë në zonat e lira në Maqedoni.
Në objektin në Maqedoni do të prodhohen tretës për infuzione dhe medikamente gjenerike, nga të cilët pjesa më e madhe do të dedikohen për eksport.
Është paraparë që investimi të realizohet në dy faza. Në fazën e parë do të investohen 6,5 milionë euro dhe do të punësohen 60 deri në 70 persona, ndërsa në investimin e dytë do të arrihet deri në 20 milionë euro, ndërsa numri i të punësuarve do të jetë deri në 300.
“Në objektin në Shkup me teknologji avancuese më bashkëkohore do të prodhohen prodhime të sterilizuara farmaceutike të cilat do të mund të eksportohen gjithandej në botë. Do të ketë edhe laborator që do t’i realizojë standardet evropiane dhe GMP normat. Motoja jonë do të jetë ‘Shëndeti juaj, kujdesi ynë'”, tha pronari i kompanisë Isuf Berberi në fjalimin e tij.
Ai theksoi se “Sagen” është kompani simotër e kompanisë “Farma” e cila ekziston nga viti 1946 dhe vepron në Shqipëri dhe vende tjera ballkanike dhe theksoi se mbjellja e pemës së ullirit është simbol i paqes dhe miqësisë midis dy vendeve fqinje.
Kryeministri Zoran Zaev ndërtimin e objektit të “Sagen-it” në ZZHTI Shkup 1 e vlerësoi si një moment historik dhe shumë të rëndësishëm.
“Historik është për arsye që e pasurojmë vargun e prodhimeve farmaceutike, këtu në Maqedoni si prodhim vendor përmes investimit të huaj, por edhe që kemi investues serioz dhe të dëshmuar i cili vjen nga vendi mik, fqinj me të cilin mes vete ndihmohemi në integrimet dhe aspiratat tona për avancimin ekonomik. E tërë kjo e bën momentin shumë të rëndësishëm”, tha Zaevi.
Mendoni, shtoi, edhe më tej në mbështetjen tonë, për atë që investimi është ende në fillim, do të rritet dhe shpresoj që do të zhvillohet ashtu siç është menduar.
“Si Qeveri jemi këtu t’ju asistojmë dhe t’ju jemi ndihmë. Me përafrimin e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s definitivisht bëhemi destinacion i dëshiruar për shumë investime dhe vlera e kapitalit ende do të rritet. E di që rentabiliteti i këtij investimi dhe i shumë tjerave që ndodhin në Maqedoni do të rriten për disa herë sipas bursës së tyre të vlerës dhe besoj se në periudhën që vjen vendi ynë gjithnjë e më shumë bëhet vend i këndshëm për investim dhe krijim të përfitimit”, porositi Zaevi.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Koço Angjushev theksoi se në javët e fundit ka marrë pjesë në 15 nderi në 16 ngjarje të ngjashme në të cilat është paraparë të ndërtohen fabrika në të cilat do të punësohen 2.000 persona.
“Kjo tregon sa Qeveria është e përkushtuar në ekonomi. Vlera e këtij objekti është që do të punësohen persona shumë profesionistë dhe që do të prodhojnë prodhime përfundimtare”, tha Angjushevi.
Theksoi se punët ndërtimore kanë efekt afatshkurtër ndaj ekonomisë, ndërsa industria afatgjatë.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se “Sagen” është edhe një prej serisë së lajmeve të mira për një kohë të shkurtër që e prezantojnë avancimin e Maqedonisë.
“Investimi i ri shqiptar do të mundësojë rritje të eksportit në vend. Plani për rritjen ekonomike jep rezultate dhe në gjashtë muajt e parë të vitit ka 327 milionë euro investime direkte të huaja. Pas referendumit, në mënyrë edhe më të përshpejtuar do të ndjehen frytet nga përmirësimi i ekonomisë. Do të rritet trendi i investimeve të huaja dhe do të ulet numri i të papunëve”, tha Bekteshi