Filmi “Shoku ynë Tili”, me regji të Fehmi Hoshafit, i realizuar në vitin 1981, do të restaurohet
Filmi “Shoku ynë Tili” një tjetër vepër filmike shqiptare që do të restaurohet. “Shoku ynë Tili”, me regji të Fehmi Hoshafit, është një film artistik i realizuar në vitin 1981 në vendin tonë, ku restaurimi do të realizohet falë nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit “Adopto një film për restaurim” dhe mbështetjes së Baki Wahsh. AQSHF bën me dije se nisma “Adopto një film për restaurim” është ende e hapur për çdo film shqiptar, dokumentar dhe animacion gjithashtu. “Shoku ynë Tili” do të restaurohet dhe shpëtohet përmes kësaj nisme, që u shpall nga AQSHF, ku gjithashtu një tjetër prodhim kinematografik shqiptar më parë u bë me dije se do ti nënshtrohej restaurimit falë kësaj nisme. Filmi “Shoku ynë Tili” ndjek historinë e Tilit, një nxënës problematik që sjell shqetësime në familje dhe në shkollë, sidomos për mësuesen Besa. Përmes historisë së tij trajtohen problematika sociale dhe rëndësia e durimit, kujdesit dhe këmbënguljes ndaj fëmijëve të vështirë.
Në kastin e aktorëve të filmit bëjnë pjesë Elida Janushi, Arben Lati, Lutfi Hoxha, Zyliha Miloti, Vasillaq Vangjeli, Mimika Luca, Herion Mustafaraj dhe emra të tjerë të njohur të kinemasë shqiptare. Filmi “Shoku ynë Tili”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e re” i realizuar në vitin 1981, është me skenar nga Qazim Kashari, Naum Bitri, Halil Kamberi. Muzika në film nga Tahsim Hoshafi dhe piktor Shyqyri Sako. Referuar materialeve të AQSHF-së, filmi nderohet me çmim të veçantë në festivalin e 8 Ndërkombëtar të Salernos, Itali. Elida Janushi dhe Ndrek Shkjezi u nderuan me medalionin e Festivalit të V të Filmit Artistik Shqiptar përkatësisht për rolin e Besës dhe të mësuesit të gjeografisë. Regjisori Fehmi Hoshafi (1934-2020) në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, më vonë iu besua, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, në vitin 1972, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: “Ëndërr për një karrige”, 1984 dhe “Zëvendësi i grave”, 1987. Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”.
Restaurimi i filmave shqiptarë
Procesi i restaurimit të filmave i nisur vite më parë është pohuar me shumë rëndësi për shpëtimin e veprave kinematografike shqiptare. Kineastë të ndryshëm herë pas here në reagimet e tyre kanë shprehur, që filmat shqiptarë janë pjesë e historisë dhe identitetit tonë kombëtar, ku restaurimi është një proces me rëndësi për shpëtimin e veprave kinematografike që kanë probleme. Arkivi i Filmit nisi punën me restaurimet e veprave filmike në vitin 2012, në bashkëpunim dhe me studio të huaja dhe donatorë të tjerë. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.