FOKUS – G7: SHBA të ndalë presionin ndaj ICC-së
UASHINGTON, 9 tetor /ATSH-DPA/ – Gjashtë anëtarë të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) kanë rikonfirmuar “mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe të palëkundur” për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), pasi Shtetet e Bashkuara, gjithashtu anëtare të G7-së, njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj kësaj gjykate.
Në një deklaratë të përbashkët, gjashtë vendet e tjera të G7-së, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, së bashku me Danimarkën dhe Holandën, deklaruan se “i vjen keq dhe nuk pajtohen fuqimisht” me sanksionet.
Ato shtuan se, megjithëse GJPN-ja ka ndërmarrë hapa për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të saj, sanksionet “do të kenë një ndikim të konsiderueshëm në punën e gjykatës”.
Gjithashtu, vendet nënshkruese shprehën vlerësimin e tyre për punonjësit e gjykatës dhe familjet e tyre, duke theksuar se ata “punojnë çdo ditë për të sjellë para drejtësisë personat e akuzuar për krimet më të rënda ndërkombëtare dhe për të mbështetur viktimat e tyre”.
Deklarata u publikua pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi sanksione kundër gjykatës me seli në Hagë, duke e cilësuar atë si një “gjykatë të pakontrolluar”.
Deklarata dukej gjithashtu si një kundërpërgjigje ndaj Rubios, i cili u kishte kërkuar aleatëve të Uashingtonit që të “vënë nën kontroll” gjykatën, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, SHBA-ja do të vazhdonte fushatën e saj për çmontimin e GJPN-së.
Administrata Trump ka qenë ashpër kritike ndaj GJPN-së për hetimin e saj mbi veprimet e trupave amerikane në Afganistan dhe për vendimin e gjykatës për të lëshuar një urdhërarresti ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk janë anëtarë të GJPN-së, e cila u krijua në vitin 2002 për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Të dyja vendet kundërshtojnë juridiksionin e gjykatës mbi shtetasit e tyre./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.