Financimi i partive politike në Shqipëri, ODIHR: Projektligji kërkon më shumë transparencë dhe kontroll efektiv
Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka publikuar opinionin e ndërmjetëm mbi projektligjin e Shqipërisë për financimin e partive politike, duke vlerësuar se drafti ofron një kuadër të detajuar rregullator, por ka nevojë për sqarime dhe përmirësime për të garantuar zbatim efektiv dhe përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.
Sipas opinionit, projektligji synon të konsolidojë rregullat për financimin e partive politike, duke përfshirë të ardhurat, burimet e financimit, shpenzimet, raportimin, transparencën, mbikëqyrjen dhe sanksionet. ODIHR vlerëson pozitivisht këtë qasje, por thekson se ndërthurja e kuadrit ligjor me Kodin Zgjedhor dhe ligje të tjera mund të krijojë paqartësi dhe boshllëqe ligjore nëse nuk harmonizohet plotësisht.
Institucioni vë në dukje disa risi të rëndësishme të draftit, përfshirë krijimin e një platforme elektronike raportimi në kohë reale, rritjen e transparencës së financimit, kufizime më të forta mbi burimet e financimit, auditim më të zgjeruar dhe forcim të kompetencave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas ODIHR, këto masa, nëse zbatohen në mënyrë efektive, mund të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e barazisë mes partive politike.
Megjithatë, në opinion theksohet se nevojiten përmirësime të mëtejshme për të mbyllur boshllëqe të mundshme, veçanërisht në lidhje me financimin nga palë të treta, donacionet indirekte dhe mekanizmat e sanksioneve. ODIHR rekomandon ndalimin e donacioneve të bëra në emër të personave të tjerë, si dhe publikimin e detajeve mbi profesionin dhe punëdhënësin e donatorëve, përfshirë edhe pronësinë përfituese të personave juridikë që japin financime.
Po ashtu, kërkohet forcim i rregullave për vlerësimin e kontributeve në natyrë, si dhe një kuadër më i plotë për kreditë e partive politike, duke përfshirë kushtet, afatet e shlyerjes dhe detyrimin për raportim të plotë financiar.
ODIHR nënvizon gjithashtu nevojën për zgjerimin e sistemit të sanksioneve, në mënyrë që të mbulojë të gjitha shkeljet e mundshme, përfshirë edhe financimet nga burime të ndaluara. Institucioni thekson se efektiviteti i ligjit do të varet në masë të madhe nga kapacitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe nga burimet njerëzore dhe teknike për zbatimin e tij.
Në opinion theksohet gjithashtu nevoja për qartësi më të madhe ligjore në ndarjen e kompetencave mes ligjit të propozuar dhe Kodit Zgjedhor, si dhe forcimin e transparencës për publikimin e raporteve financiare dhe aksesin e publikut në të dhëna.
ODIHR përfundon se, nëse zbatohen si duhet, dispozitat e projektligjit mund të ndihmojnë në rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e një gare më të barabartë politike në Shqipëri, por kërkojnë përmirësime të mëtejshme për të garantuar përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.