Fishtë, muzika dhe arti gjallërojnë mbrëmjet e fshatit turistik
Fshati Fishtë në Lezhë po pasuron ofertën e tij turistike me një nismë të re kulturore, që synon të sjellë artistët më pranë publikut dhe të krijojë një atmosferë të veçantë për banorët dhe vizitorët.
“Hambar Teatri” është hapësira e re e takimit përmes muzikës, poezisë dhe rrëfimeve artistike, e krijuar falë angazhimit vullnetar të banorëve të zonës, të cilët synojnë t’i japin më shumë jetë fshatit edhe përmes aktiviteteve kulturore.
Nisma u çel me performancat e artistëve Vlashent Sata dhe Antonio Fjerca, të cilët u bënë pjesë e mbrëmjes së parë, duke tërhequr vëmendjen e banorëve, vizitorëve dhe turistëve që po kalojnë ditët e tyre në Fishtë.
Për turistët, ky organizim përbën një mundësi për të përjetuar një tjetër dimension të qëndrimit në zonë, përtej bukurive natyrore dhe ofertës gastronomike.
“Jemi befasuar nga ky organizim në mbrëmje. Është diçka interesante për t’u argëtuar dhe për të kaluar disa çaste ndryshe. Fishta na pëlqen shumë dhe po e shijojmë në maksimum atmosferën e krijuar”, u shpreh një turist.
“Hambar Teatri” do të zhvillohet çdo mbrëmje për disa muaj me radhë, duke synuar të krijojë një traditë të re kulturore në Fishtë dhe të forcojë lidhjen mes komunitetit, artit dhe turizmit.
E njohur për zhvillimin e turizmit rural dhe kulinarinë tradicionale, Fishta po synon të zgjerojë përvojën që u ofron vizitorëve, duke e kthyer kulturën dhe artin në pjesë të rëndësishme të jetës së saj turistike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.