Pas miratimit të hartës së re territoriale, PS kërkon komision të ri për fazën e dytë të reformës: Në fokus financat dhe kompetencat e bashkive
Socialistët kërkojnë një komision të posaçëm parlamentar me mandat 9-mujorpër reformën territoriale, që do të trajtojë decentralizimin, financat vendore dhe organizimin rajonal, me synimin që ndryshimet ligjore të jenë gati në kohë për fillimin e funksionimit të bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027
Pas miratimit në Kuvend të reformës administrativo-territoriale me 85 vota pro, Partia Socialiste ka kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të reformës, i cili do të fokusohet te funksionet dhe shërbimet vendore, financat e bashkive dhe zhvillimi rajonal.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët socialistë argumentojnë se miratimi i hartës së re territoriale përbën vetëm fazën e parë të procesit, ndërsa për zbatimin e plotë të reformës nevojiten ndërhyrje të mëtejshme ligjore dhe institucionale.
Në dokumentin e depozituar, PS thekson se reforma nuk përfundon me ndryshimin e hartës, por duhet të shoqërohet me rishikimin e kompetencave të pushtetit vendor, financimit dhe organizimit rajonal.
Komisioni i ri propozohet të shqyrtojë kuadrin ligjor të vetëqeverisjes vendore, funksionet dhe shërbimet publike, si dhe mundësitë për thellimin e decentralizimit administrativ dhe fiskal.
Një tjetër objektiv është rishikimi i sistemit të financave vendore, përfshirë formulën e transfertës së pakushtëzuar mbi bazën e të dhënave të Censit 2023 dhe ndryshimet në ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore.
Në fokus do të jetë edhe krijimi i një niveli rajonal funksional, në përputhje me kuadrin ligjor për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, si dhe me kërkesat e politikave të Bashkimit Evropian.
Kërkesa parashikon gjithashtu ndryshime në ligjin për vetëqeverisjen vendore, për të përcaktuar më qartë organizimin e brendshëm të bashkive, marrëdhëniet mes bashkisë, qytetit dhe njësive administrative, përfaqësimin dhe statusin e qytetit.
Sipas propozimit të socialistëve, Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 16 anëtarë, në përputhje me përfaqësimin e grupeve parlamentare. Kryetari do të jetë përfaqësues i shumicës parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari do të përfaqësojë pakicën.
Mandati i tij propozohet të jetë nëntë muaj nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi, nëse paraqitet një kërkesë e arsyetuar nga kryetari i komisionit.
Pjesë e detyrave do të jetë edhe përgatitja dhe paraqitja në Kuvend e projektligjeve dhe relacioneve shoqëruese, si dhe ndjekja e zbatimit të ligjit për ndarjen e re territoriale dhe e masave kalimtare për krijimin e bashkive të reja.
PS kërkon që procesi të zhvillohet përmes konsultimeve me ministritë përgjegjëse, institucionet publike, kryetarët e bashkive, shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore me atë vendore.
Kërkesa e plotë e PS
Me vendimin nr. 75/2025, Kuvendi ngriti Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me mandat nëntëmujor. Komisioni e përfundoi punën e tij me Raportin Përfundimtar, të paraqitur në Kuvend më 15.07.2026, i cili vendosi metodologjinë e vlerësimit me pesë kritere dhe hartoi gjetjet dhe skenarët e riorganizimit territorial. Mbi bazën e Raportit dhe të një procesi të gjerë konsultimi me bashkitë, këshillat bashkiakë dhe qytetarët, Kuvendi miratoi në tetor 2026 ligjin nr. 100/2026 për ndarjen e re administrativo-territoriale, i cili organizon vendin në 46 bashki, me qytetet përbërëse dhe njësitë administrative.
Harta e re është shtylla e parë e reformës. Tri shtyllat e tjera, funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe niveli rajonal, kërkojnë ligje më vete, që duhet të hartohen brenda vitit të ardhshëm nga Kuvendi, Qeveria dhe bashkitë. Plotësimi i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” me statusin e qytetit, nënkryetarin e qytetit, përfaqësimin dhe organizimin e brendshëm bashki–qytet–njësi administrative; standardet minimale të shërbimeve dhe burimi i financimit për çdo funksion; formula e re e transfertës së pakushtëzuar mbi të dhënat e Censit 2023 dhe ndryshimet në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”; dhe një nivel rajonal funksional, mbi strukturën ekzistuese të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.
Logjika e reformës është e qartë: nuk mund t’u shtohen kompetenca bashkive që sot nuk i kryejnë dot as ato që kanë; bashki më të forta sot do të thotë më shumë kompetenca dhe më shumë financim nesër.
Këto ligje duhet të jenë gati në kohë për fillimin e funksionimit të bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Faza e dytë duhet të ndjekë metodën që e provoi veten në fazën e parë: punë e bazuar në të dhëna, konsultim i gjerë dhe synim konsensusi mes forcave parlamentare, nën drejtimin e Kuvendit dhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Për këto arsye, në bazë të neneve 77 dhe 78 të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, ne, deputetët e Kuvendit,
kërkojmë:
ç) analizën dhe propozimet për nivelin rajonal dhe zhvillimin rajonal, në funksion të politikës së kohezionit dhe të fondeve të Bashkimit Europian;
Të gjitha organet shtetërore, ato publike dhe institucionet e pavarura kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionin e Posaçëm, si dhe të vënë në dispozicion të tij, pa vonesa, çdo dokumentacion apo informacion që kërkohet nga Komisioni për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij.
Kuvendi duhet të marrë masa për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen financiare, logjistike e me burime njerëzore të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, të grupit të ekspertëve dhe të Sekretariatit Teknik.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.