Më 17 nëntor shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale ka caktuar 17 nëntorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rastin për pengim të drejtësisë.
Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, seanca publike do të mbahet duke filluar nga ora 10:00.
Gjykatësi i vetëm ka urdhëruar që fizikisht të jenë të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, përveç Thaçit, edhe të bashkakuzuarit Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Në njoftim thuhet se, sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, aktgjykimet shpallen në seancë publike dhe shoqërohen me arsyetim me shkrim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, i cili akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Për të bashkakuzuarit e tjerë, prokuroria ka kërkuar nga tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim.
Sipas Prokurorisë, Thaçi dyshohet se ka ndërmarrë veprime për të ndikuar te dëshmitarët në rastin kryesor të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, në të cilin ai akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Prokuroria ka pretenduar se këto veprime dëshmohen nga 28 incizime të realizuara gjatë nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, brenda një periudhe katërmujore./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.