Floisvos: zhduket detari 31-vjeçar që ra në det duke u përpjekur të hipte në jaht
Kamerat e sigurisë treguan se kuzhinieri ra në det që pasditen e së shtunës, kërkimet me zhytës rifillojnë të hënën në mëngjes
Rezulton i zhdukur një detar 31-vjeçar, i cili ra në det ndërsa përpiqej të hipte në një jaht në Marinën e Floisvosit, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Sipas televizionit publik ERT, mungesa e detarit nga jahti u konstatua mëngjesin e së dielës. Por nga shqyrtimi i pamjeve të kamerave të sigurisë rezultoi se ai kishte rënë në det që pasditen e ditës së mëparshme.
Detari, kuzhinier në profesion, duke u kthyer drejt jahtit, duket se humbi orientimin dhe hipi në një mjet lundrues të gabuar. Më pas u përpoq të kërcente për t’u ngjitur në pasarelën e jahtit, humbi kontrollin dhe ra në det.
Operacioni i kërkim-shpëtimit të 31-vjeçarit, me pjesëmarrjen e zhytësve, do të vazhdojë të hënën në mëngjes. Autoritetet po shqyrtojnë pamjet filmike dhe mundësinë që detari të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit, pasi në ecjen e tij vihej re një pasiguri e lehtë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.