Pllaka përkujtimore ende në magazinë: pushteti lokal në Ulqin nuk jep pëlqimin për shenjën te monumenti “Sloboda”
Shoqata e luftëtarëve kërkon prej më shumë se një viti vendosjen e pllakës me emrat e 172 viktimave të Luftës së Dytë Botërore në Pinjesh
Pllaka përkujtimore me emrat e 172 viktimave të Luftës së Dytë Botërore, e përgatitur nga Shoqata e Luftëtarëve të Ulqinit (UBNOR), ndodhet ende në magazinë, siç njofton Vijesti. Prej më shumë se një viti shoqata kërkon pa sukses lejen e pushtetit lokal për ta vendosur te monumenti “Sloboda” (Liria) në Pinjesh, në Ulqin.
Zëvendëskryetari i SUBNOR-it, Milojica Dakić, tha për “Vijesti” se nuk shohin arsye për zvarritjen. Sipas tij, SUBNOR-i iu drejtua Komunës dy herë në një vit e gjysmë, pa marrë përgjigje. Zbulimi i pllakës ishte planifikuar për 9 maj, 21 maj, 13 korrik dhe së fundi 26 nëntor, Ditën e Çlirimit të Ulqinit, por asnjëra nga këto data nuk u realizua.
Ndërkohë Komuna vendosi pllakën e saj me emrat e 46 qytetarëve, mes tyre 25 fëmijë, të vrarë më 7 nëntor 1943 në bombardimin e forcave aleate. Për të, Komuna mori pëlqimin e Ministrisë së Kulturës më 23 shtator 2024. Sipas Dakićit, të gjithë emrat e pllakës së Komunës gjenden edhe në atë të UBNOR-it.
Pllaka e Komunës u vendos me nismën e partisë në pushtet Forca, lideri i së cilës Genci Nimanbegu është edhe kryetar i Komunës. Nga Forca më herët kanë thënë se monumentit duhet ndryshuar dedikimi, duke përmendur edhe masakrën ndaj shqiptarëve në Tivar në prill 1945 nga njësitë partizane.
Dakić e quajti politike edhe ndryshimin e Ditës së Ulqinit: prej më shumë se tre dekadash komuna nuk e feston 26 nëntorin, por të shtunën e parë të prillit, sipas një vendimi të Kuvendit Komunal të 12 janarit 1996.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.