FOKUS – Airbnb lehtëson qëndrimin e turistëve, pronarët nuk mund të kërkojnë më pastrimin e banesës
NJU JORK 23 tetor /ATSH/ – Platforma e qiradhënies së banesave për pushime Airbnb ka përditësuar rregullat për pronarët e akomodimeve, duke ndaluar kërkesat ndaj mysafirëve për kryerjen e detyrave që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje, apo që zakonisht i takojnë personelit të pastrimit.
Një nga ankesat më të shpeshta të turistëve gjatë qëndrimeve në Airbnb lidhet me detyrimet që u kërkohen në momentin e largimit, si heqja e çarçafëve nga krevati, nxjerrja e mbeturinave apo pastrimi i banesës.
Me ndryshimin e ri të politikave të komunitetit, platforma synon të kufizojë këto praktika dhe të sigurojë një përvojë më të qartë dhe më të lehtë për udhëtarët.
Sipas rregullave të përditësuara, pronarët nuk mund t’u kërkojnë mysafirëve të kryejnë detyra që kërkojnë angazhim të konsiderueshëm ose që zakonisht realizohen nga një punonjës pastrimi.
Për shembull, hostët nuk mund t’u kërkojnë turistëve të lajnë dhe të sistemojnë enët, por mund t’u kërkojnë t’i vendosin ato në lavaman përpara largimit.
Në një deklaratë për Euronews Travel, Airbnb shpjegoi se rregullat e shtëpisë ndihmojnë mysafirët të kuptojnë pritshmëritë e pronarëve, por në disa raste ato janë konsideruar të paqarta, të lodhshme dhe të vështira për t’u menaxhuar.
Për këtë arsye, kompania ka rishikuar mënyrën e paraqitjes së tyre, duke synuar që kërkesat të jenë më të qarta, më të lehta për t’u gjetur dhe të mos përmbajnë detyrime të papritura për turistët.
Rregulla të reja për pronarët
Me përditësimin, rregullat e shtëpisë do të shfaqen në faqen e njoftimit të akomodimit, në seksionin e udhëtimeve dhe në kujtesat e rezervimit.
Pronarët mund të përcaktojnë shtatë rregulla bazë, që lidhen me oraret e check-in dhe check-out, numrin e mysafirëve të lejuar, ndalimin e duhanit, pranimin e kafshëve shtëpiake, oraret e qetësisë dhe përdorimin e banesës për fotografi apo xhirime komerciale.
Gjithashtu, ata mund të shtojnë kërkesa të tjera të konsideruara të arsyeshme, të cilat mund të ndryshohen në çdo kohë.
Airbnb do të sinjalizojë kërkesat që nuk përputhen me politikën e re, duke u kërkuar pronarëve t’i heqin ato ose të paraqesin një ankim.
Tarifa e pastrimit duhet të mbulojë shërbimin
Një tjetër element i rëndësishëm i ndryshimit lidhet me tarifën e pastrimit.
Sipas rregullave të reja, kjo tarifë duhet të mbulojë vetëm pastrimin dhe sistemimin e zakonshëm të banesës ndërmjet qëndrimeve të mysafirëve.
Pronarët nuk mund të kërkojnë pagesa shtesë nga turistët nëse ata nuk kryejnë një nga detyrat e përcaktuara në mënyrë të qartë si detyrim gjatë check-out.
Përmes këtyre ndryshimeve, Airbnb synon të vendosë kufij më të qartë për përgjegjësitë e pronarëve dhe mysafirëve, duke shmangur detyrimet e tepërta dhe duke përmirësuar transparencën gjatë rezervimit të akomodimeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.