FOKUS – Akulli detar dimëror në Arktik po tkurret sërish me ritëm të shpejtë
LONDËR, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Akulli detar dimëror në Arktik ka rifilluar të tkurret me ritëm të shpejtë pas një ngadalësimi të përkohshëm në fillim të viteve 2020, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga studiues të “University of Southampton” dhe “National Oceanography Centre”.
Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor ka qenë përgjegjëse për zvogëlimin e akullit dimëror në Arktik gjatë dekadave të fundit. Edhe pse të dhënat e viteve të para të dekadës 2020 sugjeronin një ngadalësim të këtij procesi, vëzhgimet më të fundit satelitore tregojnë se dimrat e viteve 2025 dhe 2026 kanë regjistruar nivele jashtëzakonisht të ulëta të akullit detar.
Kur këto të dhëna kombinohen me prirjet afatgjata, ato tregojnë se humbja e akullit dimëror është rikthyer në një fazë të rënies së ndjeshme. Autori kryesor i studimit, Duo Chan, tha se ajo që dukej si një ndalesë e procesit në fillim të viteve 2020 ishte në fakt vetëm një ngadalësim i përkohshëm brenda një tendence afatgjatë të lidhur me ngrohjen globale.
Akulli detar i Arktikut luan një rol jetik në sistemin klimatik, pasi vepron si një pengesë midis oqeanit relativisht të ngrohtë dhe atmosferës shumë më të ftohtë gjatë dimrit. Humbja e tij lejon që më shumë nxehtësi dhe lagështi nga oqeani të kalojnë në atmosferë, duke ndikuar në modelet e presionit, zhvillimin e stuhive dhe qarkullimin atmosferik në shkallë të gjerë, me pasoja që mund të ndikojnë edhe motin në rajone më jugore.
Studimi tregon se, nga dimri 2024 në atë të 2025, shtrirja maksimale e akullit detar në Arktik gjatë periudhës shkurt–mars u zvogëlua me 5,8%. Ky është reduktimi më i madh nga një vit në tjetrin i regjistruar ndonjëherë gjatë dimrit, që prej fillimit të matjeve satelitore në vitin 1978. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.