FOKUS – BE: Reformat synojnë të përgatisin bllokun për anëtarët e rinj
– Komisioni Evropian kërkon t’i japë një impuls të ri procesit të zgjerimit të BE-së, në të cilin disa vende kandidate kanë pritur prej vitesh për t’u anëtarësuar, raportoi DW.com.
Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina janë aktualisht vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Zyrtarët evropianë shpresojnë se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së që në vitin 2028.
“Një union më i madh është një investim afatgjatë për paqen, sigurinë dhe mirëqenien e Evropës”, deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, para gazetarëve në Strasburg.
Një nga pyetjet kryesore është se si BE-ja, mund të pranojë më shumë vende në të ardhmen e afërt, pa e bërë Bashkimin më të vështirë për t’u qeverisur dhe pa rrezikuar prapakthimin demokratik në shtetet e reja anëtare.
Përgjigjja e Komisionit Evropian është që, paralelisht me përmbushjen e standardeve të BE-së nga vendet kandidate, edhe vetë Bashkimi Evropian të reformohet.
Qëllimi është të hiqen pengesat në procesin e anëtarësimit dhe të forcohen mekanizmat për mbrojtjen e vlerave demokratike.
Më pak unanimitet, më shumë votim me shumicë të cilësuar
Një nga pengesat kryesore në negociatat e anëtarësimit, ka qenë nevoja për vendime unanime nga të 27 shtetet anëtare.
Në të kaluarën, shtete të veçanta kanë bllokuar përparimin e vendeve kandidate, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Një shembull i dukshëm janë vonesat në procesin negociues të Ukrainës, të shkaktuara nga Hungaria.
Komisioni Evropian tani, dhe jo për herë të parë, rekomandon që shtetet anëtare të heqin dorë nga parimi i unanimitetit për vendime të tilla si, hapja e grupeve të kapitujve negociues dhe ta zëvendësojnë atë me votim me shumicë të cilësuar.
“Çdo grupkapituj që hapen, i nënshtrohet tre vendimeve të veçanta dhe çdo vendim kërkon unanimitet. Kjo është e pabesueshme dhe mendoj se duhet të ndryshojë qartë”, tha një zyrtar i Komisionit Evropian, i cili kërkoi të mbetet anonim.
Megjithatë, kalimi në votim, me shumicë të cilësuar, do të kërkonte vetë një vendim unanim.
“Kam dyshime nëse shtetet anëtare do të bien dakord njëzëri për këtë ndryshim”, tha Tinatin Akhvlediani, drejtuese e programit të zgjerimit në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), duke iu referuar përpjekjeve të mëparshme të pasuksesshme për ndryshimin e rregullave të votimit.
Qasje graduale në përfitimet e anëtarësimit
Për të nxitur reformat në vendet kandidate, Komisioni Evropian propozon një integrim gradual.
Kjo do të thotë se këto vende mund të përfitojnë nga disa avantazhe të anëtarësimit përpara se të bëhen anëtare të plota, për sa kohë që përmbushin kriteret e BE-së.
“Integrimi gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit të plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit”, tha Marta Kos, duke theksuar se procesi do të mbetet i bazuar në meritë.
Sipas Nina Vujanovic, studiuese në institutin kërkimor “Bruegel” me seli në Bruksel, kjo mund të ketë një efekt motivues për vendet kandidate.
“Reformat janë të rëndësishme, por është po aq e rëndësishme që ky proces të shpërblehet disi më herët, para anëtarësimit”, tha ajo.
Qasja më e hershme në përfitimet e BE-së nuk është krejtësisht e re. Për shembull, Mali i Zi tashmë merr pjesë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), edhe pse ende nuk është anëtar i BE-së.
Përballja me realitetet gjeopolitike
Komisioni Evropian tani dëshiron ta bëjë këtë qasje më sistematike dhe ta lidhë atë me përafrimin strategjik.
“Kjo nuk do të jetë e disponueshme për vendet kandidate, nëse ato nuk orientohen qartë drejt BE-së”, tha një zyrtar i Komisionit.
Kushtëzimi me përafrimin strategjik, është një element i ri dhe pasqyron përpjekjet e BE-së për t’iu përshtatur tensioneve gjeopolitike, me të cilat përballen vendet anëtare dhe ato kandidate.
Zgjedhja e kandidatëve: Rusia apo BE-ja?
“BE-ja po përpiqet t’i mbajë vendet kandidate larg ndikimit rus”, tha Heather Grabbe, studiuese e lartë në “Bruegel”.
“Synimi për përafrim strategjik drejtohet veçanërisht ndaj politikanëve si Aleksandar Vuçiç në Serbi, i cili ka promovuar qartë interesat ruse”, shtoi ajo.
Procedurat e reja do të kërkonin përafrim jo vetëm me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, por edhe me standardet e saj për sigurinë ekonomike.
“Tregtia e gazit me Rusinë thjesht nuk është diçka që ndërton besim me Bashkimin Evropian”, tha Nina Vujanoviç.
Mësimet që BE-ja nxori nga Hungaria dhe Polonia
Për të parandaluar shkeljet e rregullave demokratike nga anëtarët e rinj, Komisioni Evropian propozon një periudhë 15-vjeçare, gjatë së cilës do të ishte më e lehtë të sanksionoheshin vendet e reja, për shembull duke kufizuar fondet financiare ose të drejtat e votimit.
Në një intervistë për “The Guardian” dhe media të tjera evropiane, Marta Kos e bëri të qartë se BE-ja, ka nxjerrë mësime nga prapakthimi demokratik i vërejtur në vende si Polonia dhe Hungaria.
“Jo më Viktor Orban. Duhet të kemi mekanizma më të shpejtë sesa vetëm Neni 7”, tha Kos.
Standard i dyfishtë apo mbrojtje e nevojshme?
Kritikët argumentojnë se kjo masë mbrojtëse, do të krijonte kushte të pabarabarta brenda unionit.
“Është në thelb e padrejtë”, tha Heather Grabbe.
Megjithatë, shumë vende kandidate aktuale kanë një histori të brishtë, përsa i përket normave demokratike.
“Ato janë në fakt demokraci të brishta. Prandaj kjo qasje ndaj tyre mund të justifikohet”, tha Tinatin Akhvlediani.
Ekspertët thonë se, megjithëse do të ishte e dëshirueshme që rregulla të ngjashme të zbatoheshin për të gjithë anëtarët, kjo nuk është realisht e realizueshme, sepse do të kërkonte miratim unanim.
Megjithëse nisma e Komisionit Evropian për rregulla të reja të zgjerimit, ka gjasa ta çojë përpara debatin, në fund u takon shteteve anëtare të vendosin se sa prej propozimeve do të bëhen realitet.
Këshilli Evropian, i përbërë nga krerët e shteteve ose qeverive të 27 vendeve anëtare, presidenti i Këshillit Evropian dhe presidenti i Komisionit Evropian, pritet t’i diskutojë këto propozime në takimin e tij të ardhshëm më 15-16 tetor.
Rezultati i këtyre bisedimeve do të përcaktojë se sa shpejt mund të ecë përpara agjenda e re e zgjerimit e Komisionit Evropian. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.