FOKUS – BM valë të re sanksionesh kundër Moskës
LONDËR, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe ka njoftuar një valë të re sanksionesh që synojnë arkën e luftës së Kremlinit, propagandistët dhe personat e akuzuar për përfshirje në torturimin e civilëve ukrainas.
Rreth 23 individë dhe subjekte do t’u nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimit, ndërsa tetë anije të lidhura me të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të Rusisë do t’u nënshtrohen sanksioneve tregtare.
Masat synojnë të ruajnë presionin ekonomik ndaj Moskës përpara muajve të hidhur të dimrit, të cilët, në vitet që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022, kanë sjellë një përshkallëzim të sulmeve ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës.
Sanksionet synojnë gjithashtu shtatë persona “për rolin e tyre në indoktrinimin dhe militarizimin e fëmijëve ukrainas, përfshirë ata të dëbuar nga autoritetet ruse”, si dhe tetë persona të përfshirë në “ndalimin arbitrar, torturimin dhe keqtrajtimin e civilëve ukrainas”, tha Ministria e Jashtme britanike.
“Ne po synojmë si të ardhurat që ndihmojnë në mbështetjen e agresionit të Rusisë, ashtu edhe autorët e krimeve të tmerrshme kundër civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët. Britania e Madhe nuk do të lëkundet në mbështetjen e saj për Ukrainën”, tha ministri për Evropën, Lord Wood of Anfield./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.