FOKUS – Irani planifikon tarifa për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit
TEHERAN, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Irani planifikon të vendosë tarifa për anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit, bëri të ditur sot Ministria e Jashtme iraniane.
Zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baghaei, tha se Irani po bashkëpunon me Omanin për krijimin e mekanizmave që lidhen me sigurinë, mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër krimit në det.
Sipas tij, tarifat do të mblidhen për shërbimet detare që u ofrohen anijeve dhe jo thjesht si një pagesë për të drejtën e kalimit.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për tregtinë globale të energjisë dhe çdo kufizim i lëvizjes së anijeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin dhe çmimet e naftës dhe gazit.
Përpara fillimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt, anijet kalonin kryesisht pa pengesa nëpër ngushticë dhe nuk paguanin tarifa për tranzitin.
Ngushtica është vetëm rreth 39 kilometra e gjerë në pikën e saj më të ngushtë, duke e bërë atë një nga pikat më të rëndësishme strategjike të transportit detar.
Sipas Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS), anijet kanë të drejtën e kalimit tranzit nëpër ngushtica ndërkombëtare dhe një shtet nuk mund të bllokojë anijet tregtare.
Megjithatë, Irani nuk e pranon këtë interpretim juridik në rastin e Hormuzit.
Nga ana tjetër, nënpresidenti amerikan JD Vance tha dje se objektivi i SHBA-së është rikthimi i qarkullimit të naftës dhe gazit nëpër Hormuz në nivelet e periudhës para luftës.
Deklarata iraniane vjen në një moment të tensionuar diplomatik.
Baghaei iu përgjigj edhe pretendimit të presidentit amerikan Donald Trump se Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë një “lojë shahu”, duke thënë se iranianët janë “lojtarë profesionistë shahu”, si në prapaskenë ashtu edhe në skenën publike. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.