FOKUS – Kërcënime të reja për bomba në aeroportet e Pragës dhe Parisit
– Aeroportet në Pragë dhe Paris janë përballur me kërcënime të reja për vendosjen e bombave në avionë, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e trafikut ajror në Evropë, sipas AP.
Policia çeke njoftoi se kishte marrë informacione për kërcënime me bomba ndaj nëntë avionëve, që mbërrinin ose niseshin nga aeroporti i Pragës. Katër prej tyre ishin fluturime në mbërritje, ndërsa pesë të tjerat në nisje.
Kërcënimet përfshinin fluturime nga Danimarka, Britania e Madhe dhe Spanja, si dhe avionë që do të niseshin drejt Holandës, Qipros, Rumanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.
Autoritetet çeke morën masa sigurie dhe kryen kontrolle në avionët e përfshirë. Sipas aeroportit, situata nuk pati ndikim të ndjeshëm në funksionimin normal të tij.
Në Francë, zyra e kryeministrit Sebastien Lecornu njoftoi se katër kërcënime të reja për bomba, ishin bërë ndaj avionëve që fluturonin mbi territorin francez.
Të katër avionët u ulën pa probleme në aeroportin “Orly” të Parisit, ku ekspertët për çaktivizimin e bombave, kryen kontrolle për të verifikuar nëse kishte mjete shpërthyese në bord.
Ndërkohë, një avion i kompanisë ajrore rumune TAROM, që fluturonte nga Praga drejt Bukureshtit, mori gjithashtu një kërcënim për bombë. Avioni u ul në destinacionin e parashikuar dhe alarmi rezultoi i rremë.
Një tjetër avion i kompanisë “Wizz Air”, që udhëtonte nga Praga drejt Romës, u detyrua të devijonte drejt Venecias.
Pas uljes, pasagjerët u evakuuan dhe autoritetet kryen kontrolle në avion. Edhe në këtë rast nuk u gjetën lëndë shpërthyese.
Këto incidente vijnë pas një serie kërcënimesh të ngjashme, që kanë prekur dhjetëra fluturime evropiane gjatë kësaj jave.
Vetëm dje, më shumë se 20 fluturime u përballën me kërcënime për bomba, duke detyruar disa avionë të ndryshonin itinerarin, të uleshin në aeroporte të tjera ose të shoqëroheshin nga avionë ushtarakë.
Në disa raste, pasagjerët u evakuuan dhe aeroportet ndërmorën kontrolle të posaçme sigurie.
Deri tani, autoritetet nuk kanë gjetur lëndë shpërthyese në avionët e kontrolluar dhe nuk ka pasur persona të plagosur.
Nuk dihet ende, se kush qëndron pas këtyre kërcënimeve dhe nëse incidentet janë të lidhura me njëri-tjetrin.
Ekspertët e sigurisë kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për një fushatë të mundshme sulmesh hibride, të cilat synojnë të shkaktojnë panik dhe të pengojnë funksionimin normal të infrastrukturës dhe shërbimeve në Evropë.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar përfshirjen e ndonjë shteti apo organizate. Policia dhe autoritetet e sigurisë në vendet e prekura po vijojnë hetimet. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.