FOKUS – Kina dhe SHBA diskutojnë uljen e tarifave dhe tregtinë para takimit Xi–Trump
– Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar takimin e parë të Këshillit të Përbashkët të Tregtisë, ku diskutuan uljen e tarifave doganore, tregtinë bujqësore dhe çështje të tjera ekonomike, sipas Reuters.
Takimi zhvillohet vetëm pak ditë përpara takimit të pritshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, në qytetin Shenzhen.
Ministria kineze e Tregtisë bëri të ditur se të dyja palët zhvilluan bisedime të hapura, të thelluara dhe konstruktive për zbatimin e rezultateve të negociatave të mëparshme ekonomike dhe tregtare.
Në fokus ishte edhe një marrëveshje reciproke për uljen e tarifave me vlerë 30 miliardë dollarë nga secila palë.
Megjithatë, Pekini nuk bëri të ditur nëse gjatë takimit u arrit ndonjë marrëveshje konkrete.
Ministria shtoi se të dyja vendet do të vazhdojnë të përdorin këtë këshill për të trajtuar mosmarrëveshjet tregtare, zgjeruar bashkëpunimin dhe zgjidhur çështjet e mbetura pezull.
Pas samitit të shtatorit mes Xi Jinping dhe Donald Trump në Uashington, të dyja vendet propozuan një paketë prej 60 miliardë dollarësh për uljen reciproke të tarifave.
Kjo paketë përfshin rreth 17 miliardë dollarë produkte bujqësore amerikane, të cilat Kina i kishte importuar gjatë vitit 2024.
Megjithatë, plani ende nuk është përfunduar.
Ndërkohë, blerjet kineze të produkteve bujqësore amerikane, përveç sojës, pritet të arrijnë nivelin më të ulët në shtatë vitet e fundit.
Kjo ndodh pavarësisht zotimit për të blerë produkte bujqësore amerikane me vlerë 17 miliardë dollarë çdo vit deri në vitin 2028, duke treguar pasigurinë që vazhdon të shoqërojë marrëveshjen.
Pekini i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit të zbatojë marrëveshjen për uljen e tarifave me vlerë 60 miliardë dollarë, duke e konsideruar këtë një kusht të rëndësishëm për rritjen e importeve bujqësore amerikane. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.