FOKUS – Koreja e Jugut hap një rrugë të re detare drejt Evropës përmes Arktikut
– Një anije koreano-jugore me kontejnerë përfundoi sot udhëtimin e parë tregtar vajtje-ardhje të vendit drejt Evropës përmes Oqeanit Arktik, ndërsa autoritetet shpresojnë që kjo rrugë ta shndërrojë portin e Busanit në një qendër të rëndësishme të transportit detar global, sipas Reuters.
Anija “PanStar Acro” u ankorua në portin e Busanit, në juglindje të vendit, 50 ditë pasi ishte nisur më 22 gusht.
Sipas autoriteteve, rruga detare përmes Arktikut mund të shkurtojë me rreth një të tretën kohëzgjatjen e zakonshme të udhëtimeve drejt Evropës.
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, e ka bërë transportin detar përmes Arktikut një përparësi të qeverisë.
Zyrtarët shpresojnë që deri në vitin 2030 të nisin shërbimet e rregullta tregtare në këtë itinerar.
Megjithatë, projekti rrezikon të krijojë tensione me aleatët perëndimorë, të cilët synojnë të mbajnë Rusinë të izoluar për shkak të luftës në Ukrainë.
Rruga detare kalon përgjatë brigjeve arktike të Rusisë, ndërsa Seuli u konsultua me Moskën për udhëtimin, përfshirë nevojën për ndihmë në rast problemesh, si ngecja e anijes mes akujve.
Gjatë udhëtimit drejt Evropës, anija përshkoi ujërat e Arktikut dhe mbërriti fillimisht në portin e Felixstowe, në Britaninë e Madhe.
Më pas, ajo ndaloi në Roterdam të Holandës dhe në Gdansk të Polonisë, përpara se të kthehej në Korenë e Jugut përmes së njëjtës rrugë veriore.
Udhëtimi provë nxori në pah edhe vështirësitë që duhet të kapërcehen përpara se kjo linjë të funksionojë rregullisht.
Përpara nisjes, kompania “PanStar” i tha se synonte të transportonte rreth 1 300 njësi ekuivalente me kontejnerë 20-këmbësh (TEU).
Megjithatë, anija u nis me 737 TEU ngarkesë dhe kontejnerë bosh.
Ekspertët e industrisë theksojnë se leverdia ekonomike e kësaj rruge do të varet nga mundësia për të garantuar orare të qëndrueshme, kostot e uljes së shpejtësisë për të shmangur akujt, primet shtesë të sigurimit dhe konsumi më i lartë i karburantit.
Pavarësisht potencialit për të shkurtuar kohën e transportit, rruga e Arktikut mbetet një sfidë logjistike dhe gjeopolitike.
Koreja e Jugut synon ta zhvillojë atë si një alternativë për lidhjen tregtare me Evropën, por për ta kthyer në një shërbim të rregullt do të duhet të provojë se përfitimet kohore dhe ekonomike justifikojnë kostot dhe rreziqet shtesë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.