FOKUS – Kriza në Ukrainë, rriten protestat pas largimit të ministrit të Mbrojtjes
– Ukraina po përballet me një krizë të re të brendshme politike dhe ushtarake pas largimit nga detyra të ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, sipas BBC.
Mijëra qytetarë kanë protestuar në Kiev dhe qytete të tjera, duke kërkuar rikthimin e tij dhe shkarkimin e komandantit të Forcave të Armatosura, gjeneralit Oleksandr Syrskyi.
Protestuesit kanë paralajmëruar nisjen e një proteste kombëtare pa afat, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Ata e akuzojnë Syrskyi se përfaqëson një qasje të vjetër ushtarake dhe kërkojnë ndryshime më të mëdha në drejtimin e ushtrisë.
Presidenti Volodymyr Zelensky po zhvillon konsultime me zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë për të zgjidhur situatën.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin përçarjet, duke paralajmëruar se Rusia po përfiton nga konfliktet e brendshme.
Gjenerali Syrskyi ka reaguar duke mbrojtur bilancin e tij në drejtimin e ushtrisë dhe ka mohuar ekzistencën e një konflikti personal me Fedorov.
Ai tha se lufta nuk mund të fitohet vetëm me përdorimin e dronëve dhe teknologjisë, por kërkon një strategji të gjerë ushtarake.
Nga ana tjetër, Fedorov shihet nga shumë ukrainas, veçanërisht të rinjtë, si simbol i modernizimit të ushtrisë dhe i përdorimit të teknologjive të reja në luftën kundër Rusisë.
Nëse Zelensky vendos të shkarkojë Syrskyi, në mesin e kandidatëve për ta zëvendësuar përmenden disa komandantë më të rinj të ushtrisë ukrainase.
Vendimi i presidentit pritet të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e drejtimit ushtarak të Ukrainës, në një kohë kur Kievi përgatitet për përballje të reja me sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.