FOKUS – Langarde i bën thirrje Eurozonës të përshpejtojë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike
FRANKFURT, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, i bëri thirrje sot vendeve të Eurozonës që të përshpejtojë masat për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa kostot ekonomike të tyre po rriten, pas një vere të karakterizuar nga valë të rënda të të nxehtit.
Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, u përball gjatë verës me temperatura rekord, thatësira dhe zjarre masive, të cilat shkaktuan dhjetëra mijëra vdekje më shumë se zakonisht.
Pasojat u ndjenë edhe në ekonomi, përmes rënies së prodhimit bujqësor në zonat e prekura nga zjarret dhe ndërprerjeve të transportit të mallrave në lumenj, ku nivelet e ujit arritën minimumin historik.
Duke i cilësuar valët e të nxehtit si një “tragjedi njerëzore dhe mjedisore”, Lagarde tha se ato duhet të shërbejnë si paralajmërim për Evropën.
Sipas saj, megjithëse ndikimi ekonomik deri tani ka qenë i kufizuar, kostot e ndryshimeve klimatike po rriten dhe goditjet e ardhshme mund të jenë më të vështira për t’u përballuar.
Ajo kërkoi mbrojtje më të mirë nga pasojat financiare të krizës klimatike dhe një sistem energjetik më fleksibël, që shfrytëzon maksimalisht energjinë e pastër.
Sipas vlerësimeve të BQE-së, aktiviteti ekonomik në rajonet e prekura nga valët e të nxehtit është 1,5 për qind më i ulët dy vjet pas tyre, ndërsa pas një thatësire rënia arrin në 3 për qind pas katër vjetësh.
Kjo lidhet kryesisht me uljen e produktivitetit dhe zhvendosjen e popullsisë.
Lagarde kërkoi që Evropa të përgatitet më mirë për kushtet ekstreme të motit, duke përshëndetur rregullat e reja të prezantuara nga Bashkimi Evropian javën e kaluar, të cilat synojnë t’i detyrojnë shtetet anëtare të ndërmarrin masa konkrete.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se valët e të nxehtit dhe thatësirat mund të rrisin çmimet e energjisë elektrike, për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve dhe uljes së prodhimit të hidrocentraleve si pasojë e rënies së nivelit të ujit.
Lagarde, e cila javën e kaluar njoftoi se do të largohet nga drejtimi i BQE-së në shkurt, disa muaj përpara përfundimit të mandatit, theksoi nevojën për modernizimin e rrjeteve elektrike evropiane, në mënyrë që ato të shfrytëzojnë më mirë energjinë e rinovueshme.
Megjithëse prodhimi i energjisë diellore dhe asaj të erës po rritet, rrjetet e vjetruara dhe mungesa e kapaciteteve të magazinimit bëjnë që këto burime të mos shfrytëzohen gjithmonë në mënyrë efikase.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.