FOKUS – Londra dhe Berlini kërkojnë forcimin e sanksioneve kundër Rusisë
VARSHAVË,13 tetor /ATSH-DPA– Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të lehtësuar sanksionet amerikane ndaj naftës dizel ruse.
“Ky nuk është momenti për të lehtësuar regjimin e sanksioneve, por përkundrazi, për ta forcuar atë”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë një fjalimi në Forumin e Varshavës për Sigurinë.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë shprehur shqetësim për vendimin e marrë javën e kaluar nga Trump për të hequr sanksionet ndaj naftës dizel ruse, në kuadër të një marrëveshjeje për furnizimin e Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian shtoi zyrtarisht të hënën rreth 1 600 persona dhe subjekte ruse në listën e sanksioneve, me synimin për të ruajtur presionin ndaj Moskës.
“Ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë”, theksoi Wadephul, duke shtuar se Evropa i kërkon Uashingtonit të mbajë të njëjtin qëndrim.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, përshëndeti nismën e fundit të BE-së dhe nënvizoi nevojën për “forcimin e mëtejshëm të sanksioneve”.
“Ne duhet të dërgojmë mesazhin e duhur”, deklaroi ai në kryeqytetin polak.
Thirrje për armëpushim të plotë energjetik
Pavarësisht kritikave ndaj vendimit të Trump për lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës dizel ruse, aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë mbështetur thirrjen e presidentit amerikan për një ndërprerje të sulmeve ndaj sektorit energjetik.
Që nga nisja e pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, Rusia ka ndërmarrë valë sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje gjatë muajve të dimrit. Në përgjigje, Kievi ka shënjestruar rafineritë ruse të naftës.
“Le ta marrim seriozisht çështjen e armëpushimit energjetik të propozuar nga presidenti Trump”, deklaroi Miliband. Megjithatë, ai theksoi se marrëveshja nuk duhet të kufizohet vetëm te ndalimi i bombardimeve ndaj rafinerive të naftës, por duhet të përfshijë një armëpushim të gjerë në sektorin energjetik.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kujtoi të hënën se Ukraina ka vetëm një rafineri nafte.
“Vetëm gjatë javës së kaluar, kemi konstatuar 200 sulme ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase”, deklaroi shefi i diplomacisë britanike.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim me presidentin Trump, me qëllim që presidenti rus, Vladimir Putin, të respektojë një armëpushim të plotë energjetik, duke theksuar se kjo është ajo për të cilën ka nevojë Ukraina. Sipas tij, Zelensky e ka mbështetur këtë ide.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul, u shpreh në favor të një armëpushimi të plotë energjetik, duke sugjeruar që ai të shtrihet edhe te sulmet në Detin e Zi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.