FOKUS – Përplasje SHBA-Iran për Hormuzin, anijet vijojnë transportin e naftës mes rrezikut
– Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani vazhdojnë të kenë pretendime të kundërta për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi jetike për furnizimin e botës me energji, raportoi “Reuters”.
“SHBA-ja dhe partnerët e saj në rajon e kontrollojnë qartë ngushticën”, deklaroi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila drejton operacionet ushtarake amerikane në këtë rajon.
CENTCOM reagoi ndaj deklaratave të një gjenerali të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, i cili kishte thënë se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe se Irani ka kontroll të plotë mbi të.
“Kjo është e pavërtetë”, deklaroi CENTCOM.
Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat kryesore të tensionit mes SHBA-së dhe Iranit që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.
Sipas SHBA-së, trafiku detar vazhdon të kalojë përmes ngushticës, edhe pse në kushte shumë të vështira dhe me rrezik të lartë.
CENTCOM tha se në këtë rrugë po transportoheshin mallra dhe karburante, përfshirë rreth 20 milionë fuçi naftë bruto.
Megjithatë, transporti detar është ndikuar rëndë nga sulmet dhe kërcënimet ndaj anijeve.
Gjatë javës 28 shtator–5 tetor u regjistruan të paktën 12 sulme, tentativa sulmesh ose incidente kërcënuese ndaj anijeve të naftës dhe gazit, numri më i lartë në një javë që nga fillimi i luftës.
Incidentet kanë përfshirë sulme, tentativa sulmesh, fluturime vëzhguese me dronë dhe komunikime kërcënuese me anijet.
Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC), e drejtuar nga Marina amerikane, tha se këto veprime tregojnë përpjekjet e Iranit për të ruajtur praninë e tij dhe për të ushtruar presion mbi anijet që kalojnë nëpër rrugët kryesore detare.
India njoftoi gjithashtu se 12 anëtarë të ekuipazhit u plagosën pasi një predhë e paidentifikuar goditi anijen cisternë me naftë “On Peace”, me flamurin e Panamasë, ndërsa ajo po kalonte Ngushticën e Hormuzit.
Pavarësisht rreziqeve, eksportet e naftës nga rajoni i Gjirit kanë vazhduar.
Në shtator, eksportet e naftës nga Lindja e Mesme arritën mesatarisht rreth 18,3 milionë fuçi në ditë dhe në disa ditë tejkaluan nivelet e para luftës.
Por, numri i anijeve që kalojnë nëpër ngushticë ka rënë ndjeshëm.
Të dhënat e kompanisë së analizave detare “Kpler” treguan se më 6 tetor vetëm shtatë anije transportuese mallrash kaluan nëpër ngushticë, niveli më i ulët që nga 23 korriku.
Sasia e naftës së papërpunuar që kaloi nëpër Hormuz ra gjithashtu, me 27% krahasuar me javën e mëparshme.
Para luftës, Ngushtica e Hormuzit ishte një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë.
Përmes saj kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë, si dhe një pjesë e madhe e gazit natyror të lëngshëm.
Për shkak të pasigurisë dhe sulmeve ndaj anijeve, shqetësimet për furnizimin me karburant kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare.
Çmimi i naftës “Brent” u rrit më 8 tetor mbi 102 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit rreth 90 dollarë për fuçi.
Ndërsa Irani pretendon se e ka mbyllur dhe kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, SHBA-ja e ka kundërshtuar këtë, duke thëne se trafiku detar dhe transporti i karburanteve vazhdojnë.
Të dhënat e transportit tregojnë se ngushtica nuk është plotësisht e mbyllur, por trafiku është ndjeshëm më i kufizuar dhe kalimi i anijeve është bërë shumë më i rrezikshëm. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.