FOKUS – Përshkallëzohet konflikti, Arabia Saudite njofton sulme të reja me dronë dhe raketa nga Houthi
RIAD, 18 tetor /ATSH-DPA/- Arabia Saudite njoftoi sot se kishte interceptuar dhe shkatërruar disa dronë dhe raketa të tjera, të cilat, sipas saj, ishin lëshuar nga rebelët Houthi të Jemenit.
Mbretëria saudite, e pasur me naftë, është përfshirë në një përshkallëzim të ri ushtarak me këtë grup të armatosur, i cili mbështetet nga Irani.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se sistemet saudite të mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dy raketa balistike, të lëshuara nga rebelët Houthi në drejtim të qytetit Khamis Mushait, në jugperëndim të vendit.
Turki al-Maliki, zëdhënës i koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili lufton kundër Houthi në Jemen, tha se raketat ishin interceptuar dhe shkatërruar.
Sipas tij, ishin kapur edhe dy dronë pranë kryeqytetit Riad, si dhe një dron i tretë në lindje të vendit, një zonë e pasur me naftë.
Al-Maliki nuk dha informacione nëse sulmet kishin shkaktuar dëme materiale apo viktima.
Ai mohoi pretendimin e rebelëve Houthi se grupi i armatosur kishte rrëzuar një helikopter ushtarak saudit të tipit “Apache”.
Ndërkohë, Al-Maliki njoftoi se një helikopter saudit, i përdorur për zbulim dhe vëzhgim nga ajri, ishte rrëzuar në Najran, në jugperëndim të Arabisë Saudite, pranë kufirit me Jemenin.
Sipas tij, aksidenti ndodhi për shkak të një defekti teknik dhe të dy pilotët që ndodheshin në bord humbën jetën.
Gjatë javëve të fundit, rebelët Houthi kanë shtuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, vend fqinj me Jemenin, në kushtet e një përshkallëzimi të ri të luftës në Jemen.
Arabia Saudite mbështet qeverinë e Jemenit, e cila njihet zyrtarisht nga komuniteti ndërkombëtar.
Në kuadër të koalicionit ushtarak që ajo drejton, Arabia Saudite ka kryer vazhdimisht sulme ajrore kundër rebelëve Houthi. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.