FOKUS – Rubio: Kërkesat e SHBA-së për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në NATO nuk janë armiqësore
LONDËR, 8 tetor / /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka këmbëngulur se kërkesat e Shtëpisë së Bardhë që Britania e Madhe dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s të rrisin investimet në mbrojtje “nuk janë diçka armiqësore”.
Sipas tij, NATO është një aleancë thelbësore për parandalimin e konflikteve dhe, për të vazhduar të luajë këtë rol, anëtarët e saj duhet të jenë “sa më të fortë që të jetë e mundur”.
Britania e Madhe dhe vendet e tjera të NATO-s u angazhuan vitin e kaluar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2035, pas kërkesave të forta të presidentit Donald Trump.
Presidenti amerikan ka argumentuar se SHBA-ja ka mbajtur për një kohë të gjatë një pjesë të madhe të barrës financiare për sigurinë e aleatëve, ndërsa kërcënimet nga Rusia dhe Kina janë shtuar.
Rubio tha se një NATO e fortë kërkon aleatë të fortë.
Ai veçoi Gjermaninë si një nga vendet që ka rritur angazhimin e saj, ndërsa tha se disa vende të tjera, pa i përmendur me emër, “po vonohen”.
Në Britaninë e Madhe, qeveria po përballet me presion për të shpjeguar se si do të realizojë objektivin e NATO-s prej 5%, ndërsa raportohet se kryeministri Andy Burnham po shqyrton shtyrjen e një vendimi të rëndësishëm për financimin.
Rubio tha se disa njerëz e shohin kërkesën për rritjen e shpenzimeve ushtarake si një qëndrim armiqësor, por sipas tij është e kundërta.
“NATO është e rëndësishme. Që NATO të ketë rëndësi, ajo duhet të jetë e fortë,” deklaroi ai, duke shtuar se aleanca është mbi të gjitha një strukturë mbrojtëse që shërben si forcë parandaluese kundër agresionit./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.