FOKUS – Rusia dërgon për herë të parë naftë në SHBA pas marrëveshjes Trump-Putin
MOSKË, 21 tetor /ATSH-DPA/- Rusia pritet të dërgojë nesër ngarkesën e parë me naftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një marrëveshjeje të diskutueshme mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak deklaroi sot se anija cisternë do të transportojë 40 mijë tonë naftë (diesel), raportoi agjencia ruse e lajmeve “Interfax”. Sipas tij, pritet që të ketë edhe dërgesa të tjera.
Novak nuk përjashtoi mundësinë që Rusia të eksportojë naftë edhe në vende të tjera, por tha se kjo do të varet nga aftësia e rafinerive ruse, për të përpunuar naftën gjatë muajve të ardhshëm.
Trump dhe Putin ranë dakord në fillim të tetorit për të rifilluar dërgesat e naftës nga Rusia drejt SHBA-së.
Për të mundësuar këtë tregti, autoritetet amerikane pezulluan përkohësisht disa nga sanksionet që kishin vendosur ndaj Rusisë.
Marrëveshja u kritikua ashpër nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe madje edhe nga disa anëtarë republikanë të Kongresit amerikan. Ndërsa Moska e mirëpriti atë.
Rafineritë ruse të naftës janë goditur shpesh nga dronë luftarakë ukrainas me rreze të gjatë veprimi.
Dëmet e shkaktuara nga sulmet dhe koha që nevojitet për riparimet kanë kufizuar aftësinë e Rusisë për të prodhuar karburant.
Si kundërpërgjigje, Moska vendosi ndalime për eksportin e benzinës dhe naftës drejt vendeve të tjera.
Trump ka kritikuar sulmet ukrainase ndaj objekteve të naftës në Rusi, duke fajësuar Kievin për rritjen e çmimeve të karburanteve, në prag të zgjedhjeve për Kongresin amerikan, që do të mbahen në nëntor.
Sipas parashikimeve të përmendura në raportim, republikanët pritet të kenë rezultate të dobëta në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër, Ukraina argumenton se objektet ruse të naftës, janë objektiva të ligjshme ushtarake, pasi ato furnizojnë me karburant forcat ruse dhe sigurojnë të ardhura që ndihmojnë në financimin e luftës së presidentit Putin.
Ukraina po mbrohet nga pushtimi i plotë rus që prej shkurtit të vitit 2022. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.