Berisha: Protesta studentore nuk ka lidhje me ANTIFA-n, Rama po përpiqet të devijojë vëmendjen nga problemet reale
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur poshtë deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se në protestat studentore po veprojnë elementë të lidhur me lëvizjen ANTIFA, duke insistuar se bëhet fjalë për një lëvizje që, sipas tij, ka në qendër kundërshtimin ndaj korrupsionit, varfërisë dhe politikave të qeverisë.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha akuzoi Ramën se po përpiqet të ndërtojë një narrativë për të diskredituar protestën dhe për ta paraqitur atë si një lëvizje ekstremiste.
“Ky bën çdo gjë për të krijuar një mburojë dhe për të paraqitur këtë lëvizje çlirimtare studentore si një ANTIFA. Asnjë element të ANTIFA-s. Zero. Lëvizja është kundër vjedhjeve të tmerrshme të tij”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të opozitës, protestuesit janë të rinj që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale, shumë prej të cilëve janë rritur në familje të ndara nga emigracioni.
“A i dëgjoni studentët? Fëmijë emigrantësh, të rritur pa njërin prind. Të bërë burra, të bërë vajza të mëdha, të rritura, pa njërin prind në shtëpi sepse ua ka përzënë ky me politikën e tij”, tha ai.
Berisha pretendoi se përpjekja për ta identifikuar protestën me ANTIFA-n ka dështuar dhe akuzoi qeverinë se ka tentuar të ndërtojë skenarë për të devijuar vëmendjen nga kërkesat e studentëve.
“Këta nuk janë ANTIFA. Dhe pikërisht dështoi në mënyrën më të turpshme kur ky u përpoq t’u japë pamjen ANTIFA. Letra e ANTIFA-s iu dogj Edi Ramës”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së i krahasoi studentët e sotëm me lëvizjen studentore të vitit 1990, duke i cilësuar si një brez që po përballet me padrejtësi dhe pasiguri ekonomike.
“Këta janë studente dhe studentë, gjimnaziste e gjimnazistë në kuptimin absolut liberatorë, aq sa ishin studentët e vitit 1990”, deklaroi Berisha.
Ai iu referua gjithashtu pensioneve, bursave dhe kostos së jetesës, duke akuzuar qeverinë se nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve.
“A i dëgjuat studentët? Një bursë 100 euro, çfarë do bëj unë me 100 euro? Cili pensionist mund të paguajë ujin dhe dritat?”, tha ai.
Berisha komentoi edhe deklaratat e Ramës gjatë takimit me drejtuesit e sistemit bankar, ku kryeministri paralajmëroi masa ndaj autorëve të akteve të dhunës dhe dëmtimeve gjatë protestave.
Sipas tij, qëndrimet e kryeministrit tregojnë një ndryshim mes thirrjeve për dialog dhe gjuhës së përdorur ndaj protestuesve.
“Në mëngjes i fton për dialog. Pasi ia përmbysin karriget, del tani me fjalim tjetër me bankierët dhe mendon se fuqia monetare e bankave do mund ta kthejë kundër protestës”, deklaroi Berisha.
Në vijim, ai akuzoi Ramën për hipokrizi kur flet për dëmet e shkaktuara gjatë protestave, duke renditur një sërë çështjesh që opozita i ka konsideruar prej kohësh afera korruptive.
“Ky flet për dëme, ka fytyrë të flasë për dëme ky njeri që ka zhdukur 130 milionë euro në djegësin e Tiranës. Që ka zhdukur në total 200 milionë euro me tre djegësat, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk punon”, tha ai.
Berisha përmendi gjithashtu Portin e Durrësit, projektet infrastrukturore, emigracionin dhe gjendjen e ekonomisë, duke pretenduar se qeveria mban përgjegjësi për largimin e qytetarëve dhe vështirësitë ekonomike.
“A mund të flasë ky për dëme në një kohë kur me narkoshtetin e tij i ka bërë gjëmën Shqipërisë dhe shqiptarëve? A mund të flasë për dëme ky që me vjedhjet e tij dhe me kartelet e drogës ka përzënë nga Shqipëria në 10 vite mbi një milion shqiptarë?”, deklaroi kreu i demokratëve.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.