FOKUS – Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë trupat e ushtarëve të vrarë në luftë
KIEV, 22 tetor /ATSH-Ukrinform/- Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sërish trupat e qindra ushtarëve të vrarë gjatë luftës, njoftuan sot autoritetet.
Agjencia ukrainase përgjegjëse për shkëmbimet bëri të ditur se kishte marrë 252 trupa, të cilët, sipas palës ruse, u përkasin ushtarakëve ukrainas. Trupat do t’i nënshtrohen tashmë procesit të identifikimit.
Shkëmbimi u zhvillua sërish në pikën kufitare Novaya Guta, mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.
Të dyja palët falënderuan Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për ndihmën e dhënë gjatë operacionit.
Vladimir Rogov, kreu i komitetit përkatës të Dhomës Qytetare të Rusisë, shkroi në Telegram se raporti mes numrit të trupave të shkëmbyer ishte pothuajse i njëjtë me atë të shtatorit, konkretisht rreth 1 me 10.
Në shkëmbimin e muajit shtator, Ukraina kishte marrë trupat e 252 ushtarëve, ndërsa Rusia kishte marrë trupat e 23 ushtarëve.
Dallimi i madh në numrin e trupave lidhet përgjithësisht me avancimin territorial të forcave ruse gjatë viteve të fundit.
Gjatë tërheqjes, trupat ukrainase nuk kanë pasur gjithmonë mundësi të marrin me vete ushtarët e vrarë.
Shkëmbimi i robërve të luftës dhe i trupave të ushtarëve të vrarë mbetet një nga kanalet e pakta të komunikimit që vazhdojnë të funksionojnë mes dy vendeve në luftë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.