FOKUS – Sulm me dronë ndaj një anijeje ruse në Detin Baltik
MOSKË, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Një anije ruse mallrash është sulmuar nga dy dronë në Gjirin e Finlandës, ndërsa po lundronte drejt enklavës ruse të Kaliningradit në Detin Baltik, bëri të ditur guvernatori i rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, përmes një postimi në Telegram.
Sulmi shkaktoi dëme në anije dhe shpërthimin e një zjarri në bord.
Pas incidentit, një ekip shpëtimi iu drejtua anijes për të ndihmuar ekuipazhin.
Megjithatë, anëtarët e ekuipazhit refuzuan evakuimin, duke këmbëngulur se do të vazhdojnë udhëtimin pasi të përfundojnë riparimet.
Sipas autoriteteve finlandeze, anija e dëmtuar kishte dalë nga ujërat ndërkombëtare dhe kishte hyrë në ujërat territoriale të Finlandës.
Roja Kufitare finlandeze njoftoi se kishte nisur operacionin e shpëtimit dhe po përgatitej të merrte masa të mundshme për të parandaluar ndotjen e mjedisit detar.
Ndërkohë, Ministria finlandeze e Mbrojtjes konfirmoi se incidenti lidhej me një sulm me dronë ndaj anijes ruse dhe bëri të ditur se trafiku ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës ishte kufizuar si masë paraprake.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, deklaroi gjithashtu se dyshohej për shkelje të hapësirës ajrore finlandeze nga një helikopter rus.
Sipas tij, kjo mund të ketë qenë e lidhur me operacionet e kërkim-shpëtimit pas incidentit.
Ngjarja ndodhi në një kohë kur Rusia raportonte sulme të tjera me dronë në rajonin e Leningradit, i cili rrethon qytetin e Shën Peterburgut.
Guvernatori Drozdenko pretendoi se gjatë natës ishin neutralizuar 73 dronë, por nuk dha hollësi për pasojat e sulmeve.
Incidenti shton tensionet në rajonin e Detit Baltik, ku siguria detare dhe ajrore është bërë një çështje gjithnjë e më e ndjeshme që prej fillimit të pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.