FOKUS – Ukraina: E papranueshme heqja nga BE e sanksioneve ndaj oligarkëve rusë
BRUKSEL, 21 shtator /ATSH-AFP/ – Ukraina deklaroi sot se do të ishte “e papranueshme” që Bashkimi Evropian të hiqte dy oligarkë rusë nga lista e sanksioneve, duke argumentuar se një vendim i tillë do t’i dërgonte “një sinjal të gabuar Rusisë”.
Dy oligarkët, Alicher Usmanov dhe Mikhail Fridman, “u përfshinë në listë sepse janë pjesë e regjimit agresiv të Rusisë, i cili po zhvillon një luftë agresioni kundër Ukrainës”, shkroi në rrjetin social X ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
“Çfarë ka ndryshuar? Asgjë. Heqja e tyre nga lista është e papranueshme dhe do t’i dërgonte një sinjal të gabuar Moskës, pikërisht në një moment kur presioni duhet të shtohet”, deklaroi ai.
Mosmarrëveshje brenda BE-së për rinovimin e sanksioneve
Bashkimi Evropian vijonte të kërkonte të sot një marrëveshje për rinovimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Procesi ishte bllokuar prej disa ditësh për shkak të kërkesës së Francës që miliarderi ruso-uzbek Alicher Usmanov të përjashtohej nga masat ndëshkuese, duke iu referuar “arsyeve të sigurisë kombëtare”.
Sipas gazetës “Financial Times”, Parisi po ushtronte presion në kuadër të një marrëveshjeje për lirimin e të burgosurve, ku përfshiheshin disa shtetas francezë të ndaluar në Azerbajxhan.
Ndërkohë, Luksemburgu kërkoi heqjen e biznesmenit rus Mikhail Fridman nga lista e sanksioneve, në rast se 27 vendet anëtare do të pranonin heqjen e Usmanovit.
Zelensky kundërshton çdo lehtësim të sanksioneve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte shprehur shqetësimin e tij për këtë situatë javën e kaluar.
Ai deklaroi se “sigurisht që nuk është momenti për të hequr sanksionet për të shpëtuar oligarkët rusë nga sanksionet” apo për t’i “bërë dhurata Rusisë”, tha ai.
Zelensky argumentoi se presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë, në një kohë kur lufta në Ukrainë mbetet e pazgjidhur dhe vendet evropiane po diskutojnë vazhdimin e masave ndëshkuese. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.