FOKUS – Ukraina investon një miliard euro të BE-së në projekte të përbashkëta të mbrojtjes
– Ukraina pritet të përdorë deri në një miliard euro nga kredia e Bashkimit Evropian për të financuar një program që synon afrimin e industrisë së saj të mbrojtjes me atë të vendeve evropiane, sipas Euronews.
Investimet do të përqendrohen kryesisht në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave, dronët, sistemet kundër dronëve dhe prodhimin e municioneve.
Kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin industrial mes Kievit dhe partnerëve evropianë, si dhe të rrisë kapacitetet e prodhimit të armatimeve.
Financimi do të rrisë më shumë se katërfish buxhetin e Instrumentit të Mbështetjes për Ukrainën, i cili aktualisht arrin në 300 milionë euro.
Në kuadër të Kredisë për Mbështetjen e Ukrainës, BE-ja po vë në dispozicion 90 miliardë euro për të mbështetur përpjekjet e Kievit në luftë gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Për shkak të rritjes së nevojave financiare të Ukrainës, Brukseli ka rënë dakord së fundmi të përshpejtojë disa pagesa për të ndihmuar në mbulimin e deficitit buxhetor të vendit.
Sipas një dokumenti konfidencial të Komisionit Evropian, të siguruar nga “Euronews”, Ukraina pritet të transferojë deri në 1 miliard euro nga fondet e kësaj kredie drejt Programit Evropian të Industrisë së Mbrojtjes dhe Instrumentit të Mbështetjes për Ukrainën.
Ky instrument synon të nxisë prodhimin e përbashkët ukrainas-evropian përmes sipërmarrjeve të përbashkëta, marrëveshjeve për licencimin e teknologjive dhe prokurimeve të përbashkëta, ku do të përfshihen prodhues nga të dyja palët.
Rritja e financimit është pjesë e Partneritetit Strategjik Industrial të Mbrojtjes BE-Ukrainë, i cili synon të ndërthurë teknologjitë ukrainase të provuara në fushën e betejës me kapacitetet industriale të Evropës.
Partneriteti u lançua në korrik 2026, me nënshkrimin e një letre që shpreh synimin për bashkëpunim.
Mbi këtë bazë, Komisioni Evropian po harton një Pakt për Industrinë e Mbrojtjes, i cili synon të përshpejtojë furnizimin me pajisje ushtarake për Ukrainën dhe të integrojë më ngushtë kapacitetet industriale të të dyja palëve.
Nisma parashikon gjithashtu heqjen e pengesave rregullatore për bashkëpunimin industrial, përfshirë marrëveshje të përgjithshme për teknologjitë e dronëve dhe raketave.
Një tjetër propozim synon të nxisë vendet anëtare të BE-së të përdorin fondet e papërdorura të programit SAFE për projekte të përbashkëta me industrinë ukrainase, megjithëse Brukseli nuk mund t’i detyrojë ato ta bëjnë këtë. Komisioni Evropian shpreson se këto masa do të krijojnë një mundësi të re për zgjerimin e prodhimit evropian të armëve gjatë vitit 2027, duke i mundësuar Ukrainës të blejë sasi më të mëdha me çmime më të ulëta.
Ambasadorët e vendeve të BE-së do ta diskutojnë për herë të parë këtë nismë të mërkurën, ndërsa synimi është që Pakti të përfundojë deri në fund të vitit, përpara se të miratohet nga shtetet anëtare. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.