IZRAEL – Herzog: Qasje novatore në bisedimet për koalicionin qeveritar
TEL AVIV, 2 nëntor /ATSH-TPS/ – Presidenti izraelit, Isaac Herzog do të ndryshojë traditën duke i nisur konsultimet për formimin e qeverisë së ardhshme me fraksionet më të vogla politike në Knesset, me synimin për të shqyrtuar mundësi alternative për koalicionin, përpara se të takohet me partitë më të mëdha.
“Ky vendim synon të mundësojë një shqyrtim të gjerë të të gjitha opsioneve në tryezë, përpara konsultimeve me fraksionet më të mëdha, si dhe të nxisë mendimin jashtë kornizave tradicionale”, deklaroi zyra e presidentit, duke shtuar se Herzog është i hapur për të zhvilluar një raund të dytë konsultimesh, nëse do të jetë e nevojshme.
Presidenti Herzog do të takohet të mërkurën me përfaqësues të “Zionizmit Fetar-Zehut”, “Shas” dhe “Yisrael Beiteinu”.
Takimet e së enjtes do të përfshijnë “Judaizmin e Bashkuar të Torës”, “Otzma Yehudit”, “Demokratët”, “Ra’am”, “Listën e Përbashkët” (me përbërje kryesisht arabe), “Beyachad”, “Yashar!” dhe “Likud”.
Partia “Likud” e kryeministrit Benjamin Netanyahu doli si forca më e madhe në Knesset, ndërsa kampi opozitar i udhëhequr nga Gadi Eisenkot përbën bllokun më të madh parlamentar.
Dy partitë arabe, të marra së bashku, fituan një numër të paprecedentë prej 19 mandatesh.
Pas përfundimit të konsultimeve, Herzog do të caktojë një anëtar të Knesset-it për të formuar qeverinë e ardhshme. Sipas ligjit izraelit, ligjvënësi i caktuar do të ketë në dispozicion 28 ditë për të formuar qeverinë, ndërsa presidenti ka autoritetin të japë një shtyrje deri në 14 ditë të tjera.
Duke qenë se Knesset-i ka 120 vende, një koalicion zakonisht kërkon mbështetjen e të paktën 61 ligjvënësve. Për pasojë, partitë më të vogla mund të jenë ato që përcaktojnë ekuilibrin e pushtetit.
Mundësitë shkojnë përtej një koalicioni të zakonshëm shumice.
Një qeveri pakice mund të marrë detyrën nëse siguron më shumë vota sesa merr kur është në opozitë, ndërsa mbetet e mundur edhe formimi i një qeverie të gjerë uniteti.
Nëse përpjekja e parë dështon, Herzog mund t’i drejtohet një kandidati tjetër, i cili do të ketë gjithashtu 28 ditë kohë për të formuar një koalicion qeverisës.
Nëse edhe përpjekja e dytë dështon, ose nëse Herzog konstaton se nuk mund të formohet një qeveri e qëndrueshme, anëtarët e Knesset-it kanë një afat të fundit prej 21 ditësh për të mbledhur të paktën 61 kolegë rreth një kandidati alternativ.
Më pas, ky kandidat ka 14 ditë kohë për të formuar qeverinë.
Nëse edhe kjo dështon, Knesset-i shpërndahet automatikisht, duke çuar në zgjedhje të reja brenda 90 ditësh. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.