FOKUS – Xi mbërrin në Egjipt për vizitën e parë në 10 vjet
KAJRO, 1 shtator /ATSH -AA/ – Presidenti kinez, Xi Jinping, ka mbërritur në mbrëmje në Kajro për vizitën e tij të parë zyrtare në Egjipt në 10 vjet.
Dy liderët pritet të diskutojnë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zbatimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik mes dy vendeve, si dhe për çështje rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.
Më herët, presidenca egjiptiane tha se vizita do të përqendrohet në zbatimin e marrëveshjes së partneritetit gjithëpërfshirës strategjik, të nënshkruar nga të dy vendet në vitin 2014.
Sipas presidencës, bisedimet gjithashtu do të përfshijnë konsultime mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Në një artikull të botuar në gazetat shtetërore egjiptiane Al-Ahram, Al-Akhbar dhe Al-Gomhouria, Xi tha se marrëdhëniet mes Kinës dhe Egjiptit ndodhen në “periudhën më të mirë në histori” pas 70 vitesh miqësi.
Ai bëri thirrje për thellimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik dhe zgjerimin e bashkëpunimit cilësor në kuadër të Nismës së Kinës “Një Brez, Një Rrugë”.
Xi gjithashtu bëri thirrje për shkëmbime më të fuqishme kulturore dhe bashkëpunim më të ngushtë Kinë-bota arabe dhe Kinë-Afrikë.
Sisi në një artikull të botuar nga Al-Ahram tha se Egjipti dhe Kina pajtohen se zgjerimi i konflikteve të armatosura nuk do t’u shërbente interesave të asnjë pale rajonale apo ndërkombëtare.
Javën e kaluar, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës njoftoi se Xi do të zhvillonte një turne jashtë vendit nga 30 gushti deri më 3 shtator.
Xi e vizitoi për herë të fundit Egjiptin në janar të vitit 2016, në vizitën e tij të parë në vend që kur mori detyrën e presidentit.
Gjatë asaj vizite, Xi u takua me Sisin dhe mori pjesë në një ceremoni me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Sisi e ka vizituar Kinën disa herë, së fundmi në maj të vitit 2024.
Egjipti dhe Kina vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 1956, duke e bërë Egjiptin vendin e parë arab dhe afrikan që njohu Republikën Popullore të Kinës.
Pekini mbështeti Kajron gjatë Krizës së Suezit në vitin 1956, ndërsa Egjipti mbështeti rikthimin e Kinës në vendin e saj në OKB në vitin 1971.
Dy vendet vendosën një partneritet strategjik në vitin 1999, i cili u ngrit në nivelin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik në dhjetor të vitit 2014, gjatë vizitës së Sisit në Pekin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.