FOKUS – Zvicra refuzon propozimin për të mos u përfshirë në sanksione dhe aleanca ushtarake
GJENEVË, 27 shtator /ATSH-DPA/- Qytetarët zviceranë kanë refuzuar me shumicë dërrmuese një propozim që synonte ta bënte neutralitetin e vendit më të rreptë, duke kufizuar mundësinë e Zvicrës për të vendosur sanksione ndaj shteteve të tjera dhe për të bashkëpunuar me aleanca ushtarake si NATO.
Sipas rezultateve përfundimtare, 70,2% e votuesve votuan kundër propozimit.
Qytetarët zviceranë kanë votuar kundër propozimit që synonte të vendoste rregulla më të forta për neutralitetin e vendit.
Zvicra është neutrale që prej vitit 1815. Kjo do të thotë se nuk merr pjesë në luftëra dhe nuk është pjesë e aleancave ushtarake si NATO.
Propozimi, i mbështetur nga organizata Pro Schweiz, kërkonte që Zvicra ta zbatonte neutralitetin në mënyrë shumë më të rreptë.
Ai parashikonte që vendi të mos bashkëpunonte me aleanca ushtarake si NATO, përveç rastit kur Zvicra do të sulmohej; të vendoste sanksione ekonomike vetëm nëse ato miratoheshin nga OKB-ja dhe të vazhdonte tregtinë edhe me shtete që kanë nisur luftën.
Debati lidhej veçanërisht me Rusinë. Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Zvicra iu bashkua në masë të madhe sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë.
Mbështetësit e propozimit argumentuan se një neutralitet më i rreptë do ta mbronte më mirë Zvicrën dhe do t’i sillte edhe përfitime ekonomike, pasi vendi do të mund të vazhdonte tregtinë me shtetet ndaj të cilave vendosen sanksione.
Kundërshtarët argumentuan se neutraliteti nuk duhet të nënkuptojë që Zvicra të qëndrojë indiferente përballë luftërave dhe shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare.
Ekspertja për të drejtën ndërkombëtare, Helen Keller tha se sanksionet ekonomike janë një mjet i rëndësishëm për t’iu përgjigjur shkeljeve të rënda të ligjit ndërkombëtar dhe se Zvicra nuk duhet të përdorë neutralitetin si arsye për të mos reaguar. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.