Ekonomia

Plani i operacionit të Tatimeve në shtator, shkeljet që do të kallëzohen penalisht

Nga Zamir Alushi

Gjoba dhe kallëzime penale për ata që do të gjenden me shkelje tatimore në operacionin e kundër informalitetit që do të nisë në shtator. Mbi procedurat e kontrolleve dhe verifikimeve pranë subjekteve tatimore, drejtorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj, ka firmosur para dy javësh një udhëzim të posaçëm, ku përcaktohen dënimet ndaj shkeljeve administrative e tatimore dhe dokumentimi i provave. Udhëzimi u drejtohet strukturave të Verifikimit në Terren dhe Hetimit Tatimor (Task-Forcë).

Udhëzimi

Ky udhëzim do t’u shpjegohet 500 punonjësve të rinj të administratës tatimore që filluan punë në fund të muajit qershor. Objekt i verifikimeve apo kontrolleve, sipas udhëzimit janë kryesisht shkeljet që kanë lidhje me regjistrimin në organin tatimor, me dokumentimin e mallrave, me dokumentimin e shitjeve dhe lëshimin e faturave tatimore, deklarimin e punonjësve, me përdorimin e pajisjeve fiskale dhe sistemeve të monitorimit të qarkullimit, si dhe me afishimin e çmimeve. Udhëzimi kërkon që çdo shkelje e ligjit të jetë e dokumentuar në mënyrë të plotë dhe të saktë sipas ligjit për procedurat tatimore. Çdo konstatim i strukturave të verifikimit në terren dhe hetimit tatimor gjatë kontrolleve të ushtruara te tatimpaguesit, dokumentohet duke mbajtur akt konstatimin përkatës, i cili është një dokument sipas një formati të miratuar, me numër serial të parashtypur. Për çdo shkelje tatimore administrative mbahet edhe procesverbal. Në procesverbal shënohet baza ligjore që përcakton shkeljen dhe dënimin përkatës.

Regjistrimi

Gjatë kontrolleve që lidhen me regjistrimin në organin tatimor, sipas udhëzimit, mbahet parasysh se çdo person që kryen veprimtari ekonomike tregtare, detyrohet të regjistrohet në organin tatimor që me fillimin e kësaj veprimtarie, duke u pajisur me certifikatën e regjistrimit në organin tatimor, e cila përmban edhe numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT). Nëse identifikohen persona që ushtrojnë veprimtari tregtare të paregjistruar në organin tatimor, përveçse u mbyllet menjëherë aktiviteti dhe konfiskohen të gjitha materialet, u propozohet organeve kompetente pezullimi i lejes/licencës/autorizimi për ushtrim veprimtarie. Vetëm në rastin kur nga strukturat e administratës tatimore provohet se për arsye të rrethanave ose për shkak të natyrës së veprimtarisë është në kushtet e pamundësisë për të ekzekutuar mbylljen e veprimtarisë, si dhe masën e konfiskimit, atëherë vendoset dënimi me gjobë. Sipas udhëzimit, përveç sanksioneve administrative, mosrespektimi i detyrimit për regjistrim apo detyrimit për përditësimin e të dhënave, dënohet për çdo shkelje me gjobë prej 10 000 lekësh për organizatat jofitimprurëse dhe për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin dhe 15 000 lekësh për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin.

Pajisjet fiskale

Sipas udhëzimit, për mosinstalim të pajisjes fiskale apo sistemit të monitorimit të qarkullimit tatimpaguesi dënohet me gjobë dhe kallëzim penal. Kur subjekti nuk instalon pajisjen fiskale ose sisteme të monitorimit të qarkullimit: herën e parë dënohet me gjobë në masën 50 000 lekë. Për tatimpaguesit e regjistruar për herë të parë ose që plotësojnë për herë të parë detyrimin ligjor për instalimin e pajisjes fiskale ose sistemit të monitorimit të qarkullimit aplikohet një afat prej 15 ditësh pune për vendosjen dhe instalimin e pajisjes fiskale apo sistemit të monitorimit të qarkullimit. Nëse pas verifikimit të parë, konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë, ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit. Çdo konstatim i mëpasshëm i mosinstalimit të pajisjes fiskale ose sistemit të monitorimit të qarkullimit, si shkelje e përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore bën kallëzim penal për tatimpaguesin. Kur subjekti nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve: për çdo konstatim (verifikim) të kryer, dënimi është me gjobë në masën 200 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, dhe gjobë, në masën 50 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë. Për çdo konstatim tjetër pas verifikimit të parë, ku zbulohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, subjekti i nënshtrohet një dënimi administrativ me gjobë në masën 300 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe gjobë, në masën 100000 lekë për tatimpaguesit e tjerë. Për çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, pas aplikimit të dy dënimeve administrative, që konsiderohet evazion tatimor, administrata tatimore ushtron të drejtën sipas ligjit, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin. Në aplikimin e dënimeve, ligjvënësi ka parashikuar faktin se tatimpaguesi e ka shkeljen për herë të parë apo të përsëritur. Udhëzimi e vë theksin edhe te kontrolli i pikave të karburantit. Sipas vendimit të qeverisë, në prill 2015 për sistemin e monitorimit e qarkullimit për tregtimin e karburanteve duhet të funksionojë në regjim automatik sipas rregullit të detyrueshëm “pa kupon s’ka karburant”. Në rast të defekteve të pajisjes fiskale duhet që të mos funksionojë dispeçeri deri në çastin e rregullimit të kësaj anomalie.

Mosdeklarimi

500 mijë lekë puna në të zezë

Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar. Tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin, marrin gjobë prej 500 000 lekësh, ndërsa tatimpaguesit e tjerë, me gjobë prej 50 000 lekësh. Çdo konstatim i përsëritur i mosdeklarimit të punonjësve, pas aplikimit të dënimit administrativ, konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore bënë kallëzimin penal për tatimpaguesin. Për rastet e konstatuara nga zyra të shkeljes së afatit të deklarimit të punonjësve, tatimpaguesi dënohet me gjobë 10 000 lekë për çdo deklaratë të padorëzuar apo të dorëzuar jashtë afatit.

Faturat

Mallrat pa dokumente

Të gjithë personat e tatueshëm, subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar apo tatimit mbi fitimin e biznesit të vogël, mallrat në gjendje në çdo vend biznesi, mallrat në transport apo mallrat në përdorim për çfarëdo arsye qoftë, janë të detyruar t’i justifikojnë me dokumentin e nevojshëm tatimor. Udhëzimi specifikon rastet e lëvizjes së mallrave nga dogana në magazinë, për furnizimet e mëdha me shumë mjete transporti, për lëvizjet e brendshme (brenda filialeve të së njëjtës ndërmarrje), nga vendi i prodhimit te dyqani, gjatë transportit nga palë të treta (shoqëri transporti), madje edhe tregtia e mallrave “derë më derë”. Kur konstatohet mungesë e dokumentacionit, mallrat konfiskohen. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. Gjithashtu, administrata tatimore ushtron edhe të drejtën për të kallëzuar penalisht tatimpaguesin që e ka rast të përsëritur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button