☀️
Tiranë 35°C · Kthjellët 17 July 2026
S&P 500 7,534 ▼0.51%
DOW 52,553 ▼0.2%
NASDAQ 25,882 ▼1.47%
NAFTA 80.04 ▲2.25%
ARI 4,000 ▲0.19%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1448 EUR/GBP 0.8488 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 93.7068 EUR/MKD 61.5740 EUR/RSD 117.3671 EUR/TRY 53.9208 EUR/JPY 185.86 EUR/CAD 1.6065 EUR/USD 1.1448 EUR/GBP 0.8488 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 93.7068 EUR/MKD 61.5740 EUR/RSD 117.3671 EUR/TRY 53.9208 EUR/JPY 185.86 EUR/CAD 1.6065
₿ CRYPTO
BTC $63,130 ▼ -1.74% ETH $1,838 ▼ -2.8% XRP $1.0871 ▼ -1.98% SOL $74.8000 ▼ -1.99%
S&P 500 7,534 ▼0.51 % DOW 52,553 ▼0.2 % NASDAQ 25,882 ▼1.47 % NAFTA 80.04 ▲2.25 % ARI 4,000 ▲0.19 % S&P 500 7,534 ▼0.51 % DOW 52,553 ▼0.2 % NASDAQ 25,882 ▼1.47 % NAFTA 80.04 ▲2.25 % ARI 4,000 ▲0.19 %
EUR/USD 1.1448 EUR/GBP 0.8488 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 93.7068 EUR/MKD 61.5740 EUR/RSD 117.3671 EUR/TRY 53.9208 EUR/JPY 185.86 EUR/CAD 1.6065 EUR/USD 1.1448 EUR/GBP 0.8488 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 93.7068 EUR/MKD 61.5740 EUR/RSD 117.3671 EUR/TRY 53.9208 EUR/JPY 185.86 EUR/CAD 1.6065
17 Jul 2026
Breaking
Bota

Forumi Global i Medias në Shusha, në fokus inteligjenca artificiale, dezinformimi dhe promovimi i paqes

SHUSHA, 17 korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/ Forumi i 4-t Global i Medias në Shusha mblodhi më 13-14 korrik rreth 160 drejtues mediash, ekspertë të fushës dhe zyrtarë nga 54 vende të botës, për të diskutuar mbi rolin e gazetarisë në promovimin e paqes, rikthimin e besimit të publikut dhe sfidat e reja që përballon industria e informacionit.

I zhvilluar me temën “Misioni i Medias në Promovimin e Paqes: Rikthimi i së Vërtetës dhe Rindërtimi i Besimit”, forumi u fokusua në të ardhmen e gazetarisë së përgjegjshme në një mjedis mediatik që po transformohet me shpejtësi nga zhvillimet teknologjike, veçanërisht nga inteligjenca artificiale.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të rreth 30 agjencive ndërkombëtare të lajmeve, më shumë se 60 organizatave kryesore mediatike, si dhe përfaqësues të organizatave dhe kompanive ndërkombëtare.

Media, dezinformimi dhe inteligjenca artificiale në fokus të diskutimeve

Punimet dyditore të forumit përfshinë panele diskutimi, takime dypalëshe dhe sesione interaktive, ku u trajtuan zhvillimet aktuale në sektorin e medias, ndikimi i teknologjive të reja dhe sfidat që lidhen me përhapjen e informacionit të pasaktë.

Diskutimet u përqendruan në mënyrat se si mediat mund të forcojnë integritetin e informacionit, të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të ndërtojnë një marrëdhënie më të qëndrueshme besimi me publikun.

Aliyev: Forumi krijon një hapësirë për dialog ndërkombëtar

Forumi i 4-t Global i Medias në Shusha u hap me sesionin vjetor të pyetje-përgjigjeve të Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, me gazetarë ndërkombëtarë.

Aliyev u shpreh se ishte një nder për Azerbajxhanin të priste sërish përfaqësues të rëndësishëm të medias botërore në Shusha dhe Karabak.

“Është një nder i madh të presim sërish një audiencë kaq të shquar këtu në Azerbajxhan, në Karabak dhe në Shusha. Ideja e forumit ishte të krijonte një atmosferë ku përfaqësuesit e medias nga pjesë të ndryshme të botës të mund të diskutonin çështje me interes dhe shqetësim të përbashkët, si dhe të njiheshin me Karabakun dhe Shushën”, tha ai.

Presidenti i Azerbajxhanit theksoi se vizitorët ndërkombëtarë kanë dëshmuar ndryshimet e ndodhura në zonë gjatë viteve të fundit.

“Me kalimin e kohës, jam i sigurt se shumë nga të ftuarit tanë, të cilët na vizitojnë rregullisht, po e shohin zhvillimin e Karabakut dhe procesin e rindërtimit. Herën e parë që erdhën, ndoshta panë vetëm rrënoja, ndërsa tani shohin qytete. Shohin njerëz që jetojnë në apartamente dhe shtëpi të reja”, deklaroi Aliyev.

Sipas tij, temat e forumit çdo vit pasqyrojnë sfidat kryesore me të cilat përballet bota.

“Atmosfera është shumë miqësore dhe pozitive dhe jam i sigurt se shumë njerëz nga media të ndryshme janë bërë miq të mirë pas takimeve në Shusha. Një faktor i rëndësishëm për ne është mbledhja e këtij grupi të madh njerëzish, atyre që ndikojnë në procesin e vendimmarrjes dhe në formësimin e opinionit publik në vendet e tyre dhe më gjerë”, u shpreh ai.

Aliyev nënvizoi rëndësinë e rikthimit të popullsisë dhe zhvillimit të rajonit të Karabakut, duke theksuar se procesi i rindërtimit synon krijimin e kushteve për një zhvillim afatgjatë.

Aliyev për konfliktet globale: Luftërat duhet të ndalen

Gjatë sesionit me gazetarët ndërkombëtarë, Presidenti i Azerbajxhanit ndau gjithashtu pikëpamjet e tij mbi konfliktet aktuale në botë, përfshirë luftën Rusi-Ukrainë.

“Mendoj se duhej të ishte kuptuar shumë kohë më parë se kjo luftë duhet të ndalet dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë. Ky është qëndrimi i Azerbajxhanit, ky është edhe qëndrimi im personal si njeri”, tha Aliyev.

Duke marrë pjesë në çdo edicion të forumit që prej themelimit të tij, Presidenti i Azerbajxhanit e ka përdorur këtë platformë për të trajtuar jo vetëm çështje të medias, por edhe tema më të gjera që lidhen me sigurinë rajonale, politikën e jashtme, proceset e paqes në Kaukazin e Jugut dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Platformat digjitale dhe siguria e informacionit, në fokus të Forumit të 4-t Global të Medias në Shusha

Në vijim të punimeve të Forumit të 4-t Global të Medias në Shusha, më 13 korrik u zhvillua paneli i diskutimit me temë “Platformat digjitale dhe siguria e informacionit: sfidat aktuale dhe zgjidhjet kryesore”.

Në panel morën pjesë Hikmet Hajiyev, Ndihmës i Presidentit të Azerbajxhanit dhe Shef i Departamentit për Çështjet e Politikës së Jashtme në Administratën Presidenciale, drejtues të mediave nga vende të ndryshme, ekspertë të platformave digjitale, si dhe përfaqësues të mediave vendase dhe ndërkombëtare.

Gjatë diskutimit u trajtuan sfidat kryesore që lidhen me sigurinë e informacionit, përhapjen e dezinformimit në platformat online dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në ekosistemin mediatik.

Farid Zeynalov, Kryetar i Bordit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, theksoi se siguria e informacionit nuk është më vetëm një çështje teknike, por është shndërruar në një element të rëndësishëm të sigurisë kombëtare dhe një faktor të domosdoshëm për stabilitetin dhe zhvillimin shoqëror.

Sipas tij, përballimi i kërcënimeve të reja në hapësirën digjitale kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe shoqërisë civile.

Karen Sutherland, pedagoge dhe hulumtuese në fushën e mediave sociale, nënvizoi se zhvillimi i shpejtë i teknologjive të inteligjencës artificiale ka sjellë njëkohësisht mundësi të reja dhe rreziqe serioze për mjedisin informativ.

Ajo vuri në dukje se përdorimi gjithnjë e më i gjerë i teknologjive “deepfake” e bën të domosdoshëm forcimin e mekanizmave të verifikimit të informacionit dhe rritjen e edukimit mediatik të publikut.

Diana Ryan, Drejtuese e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikave Publike për Evropën Lindore në TikTok, theksoi se krijimi i një mjedisi të sigurt digjital për përdoruesit mbetet një prioritet kryesor për platformat online.

Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e sigurisë për të garantuar një hapësirë më të mbrojtur në internet.

Seamus Clancy, Drejtor i Shitjeve për Sektorin Publik dhe Organizatat Jofitimprurëse për rajonet EMEA dhe LATAM në LinkedIn, u shpreh se ruajtja e një mjedisi të sigurt informativ në rrjetet profesionale sociale bazohet në transparencë, përgjegjshmëri dhe besimin e përdoruesve.

Gjatë panelit u zhvillua një shkëmbim pikëpamjesh mbi krijimin e një mjedisi të besueshëm informativ në platformat digjitale, luftën kundër dezinformimit në epokën e inteligjencës artificiale dhe garantimin e sigurisë së fëmijëve në internet.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjen e përgjegjësisë së platformave digjitale për përmbajtjen që shpërndahet në hapësirat online.

Folësit theksuan se, krahas përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional, inovacioni teknologjik dhe edukimi mediatik mbeten elementë kyç për përballimin e sfidave të reja.

Diskutime individuale mbi median dhe inteligjencën artificiale

Në kuadër të Forumit të 4-t Global të Medias në Shusha u zhvilluan gjithashtu një seri diskutimesh individuale mbi çështje aktuale të industrisë së medias.

Seamus Clancy mori pjesë në një diskutim me temë “Mediat sociale dhe kuadret etike në epokën e inteligjencës artificiale”, moderuar nga Alisultan Sultanzade, Krijues i Përmbajtjes Digjitale në AnewZ TV.

Diskutimi u përqendrua në mundësitë që ofrojnë teknologjitë e inteligjencës artificiale në prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit, duke evidentuar njëkohësisht nevojën për luftimin e dezinformimit, promovimin e sjelljes së përgjegjshme digjitale dhe krijimin e një mjedisi informativ të besueshëm.

Një tjetër sesion me temë “Dialogu mediatik ndërkufitar dhe solidariteti në mjedisin digjital” u moderua nga Katie Wilson, gazetare televizive në AnewZ TV.

Claus Strunz, Drejtor Ekzekutiv i Euronews, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave mediatike në një mjedis global informacioni, shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë e reja të krijuara nga platformat digjitale.

Folësit trajtuan sfidat me të cilat përballen mediat moderne, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e gazetarisë së besueshme, forcimin e dialogut ndërkombëtar dhe rritjen e solidaritetit mes organizatave mediatike.

Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e gazetarisë së përgjegjshme

Inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në të ardhmen e gazetarisë së përgjegjshme ishte një nga temat kryesore që dominoi diskutimet gjatë forumit.

Pjesëmarrësit analizuan mënyrat se si organizatat mediatike mund t’u përgjigjen përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale, duke theksuar rëndësinë e forcimit të verifikimit të fakteve, transparencës dhe respektimit të standardeve etike.

Diskutimet u fokusuan gjithashtu në nevojën për zhvillimin e kuadrove të qarta për platformat e mediave sociale, rritjen e edukimit mediatik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e gazetarisë së besueshme.

Vizitë në zonat e rindërtuara në Shusha

Në kuadër të Forumit të 4-t Global të Medias në Shusha, zhvilluam vizita në disa zona të Karabakut, ku u njohëm nga afër me procesin e rindërtimit dhe projektet e zhvillimit urban të realizuara në rajon.

Gjatë vizitës në Shusha, pamë nga afër një nga projektet më të rëndësishme të transformimit urban të qytetit, i cili pesë vite më parë ishte i rrënuar nga lufta. Projekti përfshin ndërtimin e objekteve shumëfunksionale nga investitorë vendas në kuadër të një partneriteti publik-privat.

Në zonën e zhvilluar vizituam rreth 10 ndërtesa shumëfunksionale, të cilat përfshijnë hotele, apartamente-hotele, ambiente zyrash dhe hapësira shërbimi gastronomik.

Gjatë vizitës, u informuam se në procesin e ndërtimit, krahas respektimit të standardeve të larta të cilësisë, vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së harmonisë së ndërtesave të reja me karakterin historik dhe arkitektonik të Shushës.

U theksua se këto projekte janë pjesë e planeve të gjera për zhvillimin e qytetit, i cili konsiderohet qendër historike dhe kulturore e Azerbajxhanit.

Sipas organizatorëve, projektet e rindërtimit synojnë jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës urbane, por edhe nxitjen e aktivitetit ekonomik, zhvillimin e sektorit të shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe vizitorët.

E njohur si “Djepi i Muzikës Azerbajxhanase” dhe “Tempulli i Arteve në Kaukaz”, Shusha është rikthyer si një nga qendrat kryesore kulturore të Azerbajxhanit. Qyteti është shpallur Kryeqyteti Kulturor i Botës Turke për vitin 2023 dhe Kryeqyteti Kulturor i Botës Islame për vitin 2024.

Vizitë në Khankendi dhe Khojaly

Më 13 korrik, vizituam qytetin e Khankendit dhe rajonin e Khojalyt, edhe këto zona të prekura nga lufta me Armeninë.

Gjatë vizitës, vizituam Kompleksin Përkujtimor të Khojalyt, ku u nderuan viktimat e tragjedisë së vitit 1992.

Më pas, u njohëm me projektet e rindërtimit dhe punimet infrastrukturore të zhvilluara në qytetin e Khankendit, si edhe mbi projektet e restaurimit dhe zhvillimit që po zbatohen në këtë zonë, si dhe vizituan Parkun e Fitores, një hapësirë e krijuar në qytet si simbol i zhvillimeve të fundit.

Forumi u zhvillua në gjashtë panele diskutimi

Punimet e Forumit të 4-t Global të Medias në Shusha u zhvilluan përmes gjashtë paneleve të nivelit të lartë, ku delegatët trajtuan një gamë të gjerë çështjesh, nga ndërtimi i paqes dhe diplomacia mediatike, deri te rindërtimi urban, bashkëpunimi ndërkufitar në media dhe përballimi i koordinuar i dezinformimit.

Programi i forumit pasqyroi rolin në rritje të këtij aktiviteti si një platformë ndërkombëtare për dialog mbi gazetarinë, komunikimin strategjik dhe të ardhmen e industrisë së medias.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të inteligjencës artificiale në gazetari dhe nevojës për krijimin e standardeve të reja etike në përdorimin e teknologjive të avancuara.

Forumi Global i Medias në Shusha u themelua në vitin 2022 me Forumin Ndërkombëtar të Medias me temë “Tendencat Globale në Media, Sfidat e Reja”.

Që prej krijimit, aktiviteti është shndërruar në një platformë ndërkombëtare ku diskutohen çështjet kryesore që lidhen me të ardhmen e gazetarisë, transformimin digjital të medias dhe rolin e informacionit në shoqërinë moderne.

Edicioni i katërt i forumit riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes mediave dhe ekspertëve përballë sfidave të reja që sjellin teknologjitë moderne, dezinformimi dhe ndryshimi i mënyrës së konsumimit të informacionit.

-Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, i pranishëm në Forumin Global të Medias në Shusha ishte kryeredaktori i lajmeve Politike-Ekonomike, Arbi Fortuzi-

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.