Bota

Franca dënon sanksionet amerikane: Janë të papranueshme, nuk duhet të paguajnë për vendimet e Amerikës

Franca ka dënuar si “të papranueshme” lëvizjen e fundit të Shteteve të Bashkuara për rikthimin e sanksioneve ndaj kompanive që zhvillojnë tregti me Iranin.
Veprimi i Uashingtonit ndjek vendimin e presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga një marrëveshje historike që synonte të kufizonte programin bërthamor të Iranit.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha se kompanisë europiane nuk duhet të paguajnë për vendimet e Amerikës. SHBA njoftuan se firmat perëndimore kanë 6 muaj kohë për të ndalur bizneset dhe nuk mund të nënshkruajnë kontrata të reja, përndryshe do të përballen me sanksione.

“Ne besojmë se shtrirja ekstra territoriale e sanksioneve të tyre është e papranueshme. Europianët nuk duhet të paguajnë për tërheqjen nga marrëveshja të Shteteve të Bashkuara, për të cilën edhe ata vet kanë kontribuuar”, tha ministri i Jashtëm francez në një intervistë për “Le Parisien”.

Ai shtoi se regjimi i ri i sanksioneve do të ketë ndikim edhe ndaj Shteteve të Bashkuara, ndaj europianët “duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e kompanive të tyre, e të nisin negociatat me Uashingtonin” mbi këtë çështje.

Le Drian deklaroi se angazhimi i partnerëve të tjerë për t’i qëndruar marrëveshjes me Iranin duhet të respektohet. Sipas tij, efektet e vendimit amerikan po ndihen qysh tani, me rritjen e kostove të naftës dhe rritjen e pasigurisë politike në Lindjen e Mesme.

Franca, Britania dhe Gjermania kanë thënë bashkërisht se do të vazhdojnë të punojnë me Iranin, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen.

Por cilat do të jenë ndikimet? Një seri firmash franceze kanë nënshkruar marrëveshje miliarda dollarëshe me Iranin që pas nënshkrimit të akordit bërthamor në vitin 2015. Mes tyre janë edhe “Airbus”, gjiganti i naftës “Total” dhe prodhuesit e makinave “Renault” dhe “Peugeot”.

Tashmë, atyre u duhet të rishikojnë investimet deri në nëntor, ose do të përballen me sanksionet amerikane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button